Askush nuk po dëshiron ta paguaj çmimin për Dembelen

Futboll 13 Prill 2020 18:14

Duket që Ousmane Dembele do të mbetet te Barcelona edhe për të paktën një edicion, ka shkruar Marca të hënën.

Për shkak të paqartësive lidhur me financat dhe telashet e fundit të francezit me lëndime, askush nuk është i gatshëm të ofrojë 60 milionë euro, sa i kërkon Barcelona për Dembelen.

Para lëndimit të fundit të tij, agjenti i Dembeles është takuar me drejtuesit e Barcelonës për të diskutuar për mundësinë e transferimit në këtë verë.

Ishte vendosur që e ardhmja e tij në Camp Nou të vendosej nga forma dhe gjendja fizike, por asnjëra palë nuk ka parashikuar mungesën e tij të gjatë. 22-vjeçari vazhdon të vlerësohet për cilësitë e tij prej lojtari.

Kundërshtari më i madh i tij janë lëndimet. Shtatë lëndime muskulore ka pësuar ai në tri vjetët e fundit.

Klubet vlerësojnë se është me rrezik të investojnë shumë para në një lojtar për të cilin nuk ka garanci se do të jetë i gatshëm për lojë në shumicën e kohës.

Pos kësaj, afati i verës pritet të goditet rëndë nga kriza e koronavirusit.

Barcelona kishte shpenzuar 124 milionë euro për Dembelen në vitin 2017.

-->