Asnjëherë nuk e hoqi maskën, kur e bëri vdiq

Sporte luftarake 14 Maj 2019 14:58

Artet marciale meksikane për poullaritetin e tyre në botë, i detyrohen shumë El Santos. Me emrin e vërtetë Rodolfo Guzman, ai tërë jetën e tij mbante fytyrën të fshehur nën një maskë argjendi, që vendoset nga konkurrentët e këtij lloji të mundjes.

Por Santo, ashtu si e quajtën të gjithë, u bë një figurë kulti jo vetëm për mundje, por edhe një simbol i Meksikës dhe hero i vërtetë kombëtar. Populli e adhuronte atë dhe ai e kishte statusin e një ikone.

Një seri e animuar u bë gjithashtu rreth tij, dhe u shfaq një libër komik në të cilin ai ishte heroi kryesor. Ai luajti në më shumë se 50 filma. El Santo njihej më së shumti për faktin se nuk e hoqi kurrë maskën dhe adhuruesit e tij asnjëherë nuk ia panë fytyrën. As bashkëpunëtorët e tij, as ekipi, trajnerët, partnerët, as fizioterapistët, dhe as mjekët, transmeton Reporteri.net

Santo nuk e hiqte maskën as gjatë takimeve private. Ai kishte një maskë tjetër që përdorte gjatë këtyre takimeve. Nëse udhëtonte jashtë vendit, gjithmonë shkonte me një aeroplan të veçantë, të ndarë nga ekipi për të mos e parë atë.

El Santo u bë një hero meksikan pas një ndeshje legjendare kundër Black Shadow në vitin 1953, gjatë së cilës Santo hoqi maskën e kundërshtarit të tij. Megjithatë, pas kësaj fitoreje, ka pasur një ndeshje kundër Blue Demon dhe kjo ishte e vetmja ndeshje që Santo humbi. Që atëherë, rivaliteti i tyre ka qenë i përjetshëm, edhe pse ata kanë luajtur së bashku në shumë filma. Santo kurrë nuk e fali për atë humbje.

Ai u martua me María de Los Ángeles Rodriguez Montaño në fillim të viteve 1940 dhe kishte dhjetë fëmijë. Heroi meksikan vazhdoi të luftonte dhe të vepronte deri në vitin 1982. Gjatë karrierës së tij, Santo gjithmonë arriti të mbante maskën e tij në fytyrë deri në vitin 1984.

Atë vit, ai më në fund e hoqi maskën në publik. El Santo vdiq 10 ditë më vonë më 5 shkurt nga një sulm në zemër. Në qytetin e tij të lindjes Tulancing, u ndërtua statuja e parë e El Santos, dhe sot ka edhe të tjera nëpër Meksikë.