Atalanta fiton me golead kundër Parmas, Vojvoda shënon golin e dytë për Torinon, notat e Berat Gjimshitit dhe Mërgim Vojvodës

Futboll 09 Maj 2021 19:06

Parma në këto vitet e fundit është kthyer në një nga kundërshtarët e preferuar për Atalantën në Serie A. Skuadra bergamaske u rikthye te fitorja në kampionat duke ruajtur vendin e dytë falë suksesit të thellë në Tardini ndaj Parmës me shifrat 2-5.

Fitorja e 7-të në 8 ndeshjet e fundit për skuadrën e Gasperinit ndaj formacionit emilian që është rrëzuar edhe matematikisht në Serie B. Në pjesën e parë Atalanta shënoi vetëm një gol me ukrainasin Malinovsky ndërkohë që talenti Pessina dyfishoi rezultatin në fillimin e pjesës së dytë. Në 15 minutat e fundit të takimit u shënuan dhe plot 5 gola, 3 për Atalantën, 2 nga Muriel dhe një nga Miranchuk dhe 2 për Parmën nga Brunetta dhe Sohm.

Berat Gjimshiti u paraqit për 90’të minuta, ku zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe u vlerësua me notën 7.0.

Realizoi për të dytën javë radhazi Mërgim Vojvoda për Torinon dhe sërish pas një asisti të Ansaldit por këtë herë goli i anësorit të përfaqësueses së Kosovës nuk i mjaftoi Torinos për të marrë tre pikët pasi u ndal në një barazim 1-1 nga Verona me Dimarcon që shënoi golin e barazimit vetëm 2 minuta pas finalizimit të Vojvodës.

Mbrojtësi kosovar ishte një nga më të mirët në fushë, ku edhe u vlerësua me notën 7.0. /insporti.com/

-->