Atdhe Nuhiu, shpallet lojtarë i muajit

Futboll 05 Prill 2018 15:26

Sulmuesi kosovar i skuadrës angleze Sheffield Wednesday, është shpallur lojtari më i mirë i muajit mars, në një votim që ishte bërë nga tifozët e kësaj skuadre.

Nuhiu i fitoi 85% të të gjitha votave të tifozëve të Sheffield Wednesday, me ç’rast 28 vjeçari falënderoi përzemërsisht ata që votuan për të.

“Faleminderit secilit person që votoi për mua”.

“Jam këtu tash e një kohë të gjatë dhe mendoj se tifozët e dinë më së miri se sa do të thotë ky klub për mua”. tha Nuhiu.

“Nuk jam vetëm një lojtarë që vi këtu dhe vetëm luaj futboll, por mendoj se ata (tifozët) e vërejnë se çfarë ndjejë unë për këtë klub dhe për këtë arsye më duhet t’i falënderoj ata që votuan për mua”.

“Do të thotë shumë për mua, pasi jam munduar të kthehem pas një kohe të gjatë mos paraqitje dhe është një ndjesi e mirë të shohësh se njerëzit ende besojnë në mua”, u shpreh Atdhe Nuhiu.

Sheffield Wednesday në Championship të Anglisë, janë duke pasur një ecuri të mirë, pasi kanë shënuar tri fitore rresht së fundmi, kundër Leeds, Preston e Sunderland dhe Atdhe Nuhiu mendon se atmosfera në zhveshtore ka qenë dhe është shumë pozitive.

Ai shtoi se: “Shpirti i skuadrës nuk ka munguar asnjëherë. Unë jam këtu tash e pesë vite dhe kam kaluar nëpër periudha të këqija dhe të mira, por shpirti pozitiv i ekipit, ka qenë gjithmonë aty”.

“Kemi kaluar nëpër disa periudha të vështira këtë sezon, por jemi duke e marrë veten, sidomos këto ndeshjet e fundit. Trajneri është duke më dhënë kurajë për paraqitjet e mia, pasi me gjasë loja ime është duke u përshtatur me konceptin e lojës të trajnerit. Unë që nga fillimi nuk kam ndryshuar, kam luajtur njëjtë gjithmonë dhe duket se kjo po ka sukses. Për këtë arsye, do të mundohem të jap maksimumin tim në çdo ndeshje”, përfundoi deklaratën e tij Atdhe Nuhiu.

Nuhiu këtë sezon me Sheffield Wednesday në Championship, në 23 paraqitje ka shënuar 7 gola, kurse ka realizuar edhe tre tjerë, në pesë paraqitjet e tij në FA Cup. /Insporti.com

-->