Atletico Madrid mposht Liverpoolin në betejën e parë

Futboll 18 Shkurt 2020 22:56

Me epërsi  prej një goli (1-0), Atletico Madridi ka triumfuar përballë Liverpoolit në Wanda Metropolitano, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Pas një harkimi nga këndi, Saul reagoi më së miri në zonë duke e zhbllokuar rezultatin (4’). Szymon Marciniak gjyqtari e rishikoi përmes sistemit VAR për pozitë jashtë loje, por u konfirmua se goli ishte i rregullt.

Në vazhdim, Alisson priti një rast të mirë nga Alvaro Morata, ndërkohë që një gol i Mohamed Salah u anulua për pozitë të mëparshme jashtë loje.

Salah u tregua përsëri i rrezikshëm, mirëpo rezultati mbeti i pandryshuar dhe Los Rojiblancos shkuan në pushim me epërsi prej një goli.

 

Një shans shumë të mirë shënimi, Mohamed Salah e pati në pjesën e dytë. Pas një harkimi në zonë, ai goditi për mrekulli me kokë, mirëpo topi shkoi pranë shtyllës.

Morata ka mundur të shënonte po të mos kishte rrëshqitur, derisa në anën tjetër rrezikoi Jordan Henderson.

Rezultati 1-0 lë gjithçka hapur, mirëpo përparësia e Atletico Madridi është se nuk ka pranuar gol në terren vendas. Nga ana tjetër, Liverpooli do ta ketë përparësinë e stadiumit në ndeshjen kthyese në Anfield. /telegrafi/

-->