Atletja shqiptare: Shpresoj që Lojërat Olimpike të zhvillohen

Atletikë 24 Mars 2020 09:47

Luiza Gega, atletja shqiptare vetëm pak ditë përpara se të mbyleshin kufijtë për shkak të Coronavirusit, udhëtoi drejt Kenias për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Edhe pse ky aktivitet është shtyrë me afat të pacaktuar, Gega shprehet se do jetë mirë që të zhvillohet këtë vit edhe pse ishte caktuar në verë. Atletja shprehet se mbyllja e shumë stadiumeve dhe palestrave është e padrejtë, ndërsa për ABC News thekson se është rraskapitëse për sportistët një gjendje e tillë.

“Unë jam në Kenia dhe mendoj se është shumë e padrejtë. Po ta vini re, kanë mbyllur stadiumet, palestrat, ndërkohë që ka dhe shtete që i përkrahin sportistët, sidomos sportistët elitarë që marrin pjesë në Lojërat Olimpike. Amerika iu jep mundësinë sportistëve të stërviten. Në Europë, shumica e shteteve i kanë mbyllur plotësisht stadiumet dhe kjo është e padrejtë.

Shtyrja e Lojërave Olimpike më duket e drejtë, por shpresoj të bëhen brenda këtij viti, sepse do të jetë një lodhje dhe një rraskapitje shumë e madhe për çdo sportist, që po stërvitet për Lojërat Olimpike dhe që ka arritur normën. Gjithsesi, edhe këtu në Kenia, Qeveria ka marrë masat për të mbyllur stadiumet dhe palestrat.

Pra, seancat e stërvitjes nuk po arrijmë t’i kryejmë siç duhet për Lojërat Olimpike, nëse do të zhvillohen në kohën që janë vendosur të bëhen. Përveç faktit që janë mbyllur stadiumet, unë jam sportiste piste dhe të paktën dy herë në javë, duhet ta kryer stërvitjen në pistë. Jam në fazën stërvitore kur duhet të punoj edhe me vrapimin me pengesa.

Siç e thashë, palestrat janë të mbyllura, kam disa disavantazhe. I vetmi avantazh këtu në Kenia është se këtu ka rrugë pambarim, ku mund të stërvitesh dhe vetëm. Unë kryesisht nuk e kam problem pjesën e të stërviturit vetëm, pasi gjithmonë jam stërvitur kështu dhe jam mësuar. Disavantazhi i vetëm është mbyllja e stadiumeve dhe palestrave”, u shpreh Gega.

-->