Aty ku e kemi vendin

Opinione 27 Tetor 2018 23:22

Leart Hoxha

Derisa pjesëtarët e ekipit kombëtar të Kosovës në futboll po dilnin nga hoteli për të hipur në autobus dhe për të shkuar në stadiumin në Torshavn ku duhej të përballeshin me Ishujt Faroe, e gjeta veten në një trekëndësh interesant.

Bajram Shalës, kolegut e mikut tim, atje në cilësinë e menaxherit të ekipit kombëtar, po ia zgjas dorën dhe në shaka po i them “kryje edhe këtë lojë, e mandej flasim”.

Nga prapa po dëgjohet një zë që thotë “kryeje, edhe mos u bo pis, se qashtu o puna”. Ishte Driton Latifi, po ashtu koleg i yni i moçëm, por tash drejtor i marketingut në TEB, sponsorit të madh të kombëtareve të futbollit e të basketbollit.

Kjo skenë me Bajramin e Dritonin dhe bisedat që bëja me tifozë, pjesëtarë të Dardanëve si Berat Buzhala e Leonard Kërçuki, të cilët “rastësisht” kanë qëlluar edhe gazetarë, në një hotel që kishte një rrugë dalëse për në qytet dhe nga tri anë të tjera shihej vetëm Oqeani Atlantik, më bëri të mendoj se ku jemi në sport si Kosovë, si federata dhe si gazetarë e tifozë.

Konstatimi i parë dhe më instiktiv ishte se jemi saktë aty ku e kemi vendin – po luajnë me Ligën D të Evropës dhe në grupin tonë jemi kombëtare lidere e grupit tonë në futboll.

Nëse këtë e zgjerojmë pak përtej futbollit, në basketboll kaluam para kualifikimet për Kupë të Botës, luajtëm kualifikime, u eliminuam si të fundit në grup dhe tashmë po luajmë para kualifikime për Eurobasket.

Në kategoritë e reja luajmë në Divizionin B të FIBA Evropës në të gjitha grup moshat dhe të dyja gjinitë, mirëpo, nuk jemi kah majat e këtij divizioni.

Në hendboll po luajmë kualifikime për kampionat botëror dhe evropian me aq sa po dimë e po mundemi.

Kuptohet, në xhudo brenda ditës i “fshimë” tri medalje në Grand Slam Turneun e Abu Dhabit dhe treguam se jemi super fuqi botërore.

Në një shkrim të mëhershëm pata shkruar se futboll shikoj vetëm kur më paguajnë, sepse nuk e marr vesh si sport, edhe pse së paku një palaço që del në televizione kabllore ma pati zënë për të madhe.

Ndeshjen me Ishujt Faroe e pashë dhe nuk e njoh futbollin aq sa për të dhënë vlerësim se ishim ne ata që fituam një pikë në Torshavn, apo humbën dy pikë sepse kishim epërsinë 1:0.

Po ashtu nuk e di futbollin aq mirë sa të them nëse selektori aktual është më i mirë se selektori i kaluar sepse nuk e di diferencën ndërmjet humbjes 0:6 në Shkodër nga ekipi që u bë nënkampion bote dhe fitores 2:0 në Prishtinë ndaj një kombëtareje me futbollistë gjysmë profesionistë.

Ka kolegë gazetarë të sportit, që shumë më mirë se unë e dinë futbollin dhe besoj që ndonjë analizë e tyre do të ishte shumë më e vlefshme sesa e imja.

Për mua, nëse i shikoj ato që kemi bërë javët e fundit, me rëndësi është se edhe zhvillimet tjera, ato jashtë futbollit ma konfirmuan konstatimin se jemi “aty ku e kemi vendin”.

Për kombëtaren e basketbollit, pos asaj që shkrova më lart dua të them se është jetike të fitojë Rumaninë si mysafir dhe të provojë të befasojë Maqedoninë në Shkup.

Nëse kjo arrihet, do të na duhet fat në short, pastaj që të mos kemi të lënduar dhe që të gjithë të jenë në disponim, që të mund të kualifikohemi në Eurobasket 2021.

Gjenerata e Dardan Berishës paraqitjen në këtë Eurobasket do ta kishte pikën më të ndritshme dhe personalisht mendoj se kur jemi në “ditën tonë dhe në element”, jemi ndër 24 kombëtaret më të mira në Evropë.

Z Mobile Prishtina nuk kaloi në Ligën e Kampionëve, por ka dy fitore në dy ndeshje në FIBA Europe Cup dhe ka gjasa legjitime të depërtojë në fazën e dytë të kësaj gare, madje ka ekip të pretendojë suksese në këtë garë.

Kjo më tregon se Kosova ka potencial për një ekip solid të basketbollit në arenën evropiane, por jo për më shumë se aq.

Mësimet nga ajo që i ndodhi Pejës për shkak të borxheve ndaj lojtarëve, FIBA-s dhe FBK-së, por edhe Bashkimit që po paguan borxhe dhe po e pëson këtë sezon, duhet të vlejnë për të gjitha ekipet.

Në futboll ka arsye pse lojtarët nga IPKO Superliga nuk janë në kombëtare dhe për të gjithë ata që dyshojnë në këtë që po them, le të shikojnë nga afër kombëtaren në trening, para ndeshjes, në ndeshje dhe pas ndeshjes dhe do ta kuptojnë çfarë po them.

Liga jonë nuk prodhon ekip që i kalon dy xhiro kualifikime për gara evropiane dhe ai nivel nuk mund të garojë në Ligën e Kombeve.

Kombëtarja U20 e hendbollit ka gjasë legjitime që të plasohet në Kampionat Botëror nëpërmjet garës IHF Trophy.

Në Kampionat Botëror asnjë ekip nuk shkon rastësisht dhe gjenerata U20 është më e mira që e kemi pasur kohëve të fundit, por rezultatet e Besës në garat e EHF-së dhe të kombëtares A në kualifikime për botëror e evropian po ashtu nuk janë të rastësishme, por janë dëshmi sa jemi larg hendbollit që luhet në Evropë.

Për xhudon e kam vështirë të them diçka e të mos përsëritem duke dhënë komplimente, por nuk mund të mos ndalem në një aspekt specifik.

Medaljet e këtij viti në Grand Prix dhe Grand Slam turne janë një gjë – medalja e Erza Muminovicit në Lojërat Olimpike për të Rinj në Buenos Aires është një gjë tjetër.

Ajo medalje është dëshmia se sukseset e xhudos po shënojnë vazhdimësi dhe se Driton Kuka, është trajner i klasit botëror nga i cili mund të presim medalje të rëndësishme edhe në të ardhmen.

Tregimin e nisa me Bajramin e Dritonin sepse besoj që rritja e sportit, duhet të shkojë krah më krah me rritjen e kapaciteteve brenda federatave e dhe sponsorëve .

Sivjet përpos garimit të rregullt ndërkombëtar jemi dëshmuar edhe si nikoqir, FFK duke organizuar ndeshjet e të gjitha grup moshave në UEFA, FBK duke organizuar evropianin U18, në Divizionin C dhe FHK duke organizuar IHF Trophy për U18 dhe U20.

Më vjen mirë që në dhe përreth sportit po rritet numri i njerëzve që kanë përkushtim, enthuziazëm (me qëllim po e shkruaj me th) dhe profesionalizëm për organizim të ngjarjeve dhe përfaqësim dinjitoz.

Por, tërheqja e Feniksit nga garat e UEFA-s në futsall, për shkak të mungesës së parave po ashtu më tregoi se jemi aty ku e kemi vendin – para nuk ka dhe pa para është vështirë të ketë sukses.

Rritja  e klubeve dhe federatave do të kërkojë qasje me serioze të shtetit, të sponsorëve dhe të mediave. Shteti jo se jo, por as mediat e as sponsorët nuk janë duke shkëlqyer me përkushtim ndaj sportit dhe mbase kjo është një tjetër arsye pse në rang lista, jemi aty ku e kemi vendin!