Automobilizmi i Kosovës në pritje të “dritës së gjelbër”

FASK 21 Prill 2020 17:29

Ashtu si të gjitha sportet dhe pothuaj në të gjitha vendet tjera, edhe automobilizmi i Kosovës është pezulluar deri në përfundim të situatës së krijuar për shkak të koronavirusit.

Kampionati i Kosovës në automobilizëm zakonisht ka filluar në fund të prillit ose fillim të majit, por sivjuet nuk do të ndodhë diçka e tillë.

Sekretari i Federatës së Auto Sportit të Kosovës, Valton Tytynxhiu, në një prononcim për Insportin ka treguar se cilat janë planet e kësaj Federate.

“Duhet të pajtohemi me situatën e krijuar dhe të lutemi që sa më parë t’i kthehemi normalitetit. Tash për tash nuk mund të kemi një datë të caktuar sekur mund të fillojmë kampionatin. FASK-u ka qenë gati për fillimin e garave, por për arsye të njohura diçka e tillë është shtyrë”, ka thënë Tytynxhiu për Insporti.com.

Sekretari i FASK-ut ka shtuar se gjithçka do të nisë sapo institucionet relevante të vlerësojnë se janë krijuar kushtet për diçka të tillë.

“Në momentin që kalon pandemia dhe institucionet tona relevante japin dritën e gjelbër për aktivitete sportive, ne jemi gati dhe menjëherë do të fillojmë me gara. Natyrisht që do të na duhet ta riprogamojmë orarin, por kjo nuk paraqet aspak problem. Shpresojmë që gjithçka të kalojë sa më shpejt”, ka shtuar Tytynxhiu.

Në rast se nuk do të krijohej kjo situatë, gara e parë e kampionatit të sivjetmë është paraparë të zhvillohet më 3 maj në Ferizaj, në disiplinën e sllallomit, për të dyja konkurrencat./Insporti/

-->