“Azerbajxhan Grand Prix” – Sergio Perez triumfon, lë pas favoritët Verstappen dhe Lewis Hamilton

Formula 1 06 Qershor 2021 17:25

Në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit triumfon Sergio Perez. Garë e çmendur në Baku në një pistë ku ndodhën shumë të papritura me dy kryesuesit e klasifikimit të përgjithshëm Max Verstappen dhe Leëis Hamilton që nuk arritën ta mbyllnin garën në zonën e pikëve.

Për Red Bullin e Sergio Perez kjo ishte fitorja e parë në këtë sezon dhe e dyta në karrierë. Në Azerbajxhan, Leclerc e nisi i pari garën, por u parakalua shpejt nga Hamilton dhe Verstappen, me makinat që treguan diferenca të mëdha në shpejtësi dhe qëndrueshmëri. Kampioni i Botës në fuqi e mbajti vendin e parë deri në momentin e pit-stopit, kur mekanikët e lanë në baltë. Mbi 4 sekonda iu desh skuadrës për të ndërruar gomat e anglezit, me ata të Red Bull, që mbyllën gjithçka në 1.9 sekonda te makina e Verstappen dhe i dhanë mundësinë holandezit të marrë kreun.

Gjithçka perfekte për Verstapen deri në xhiron e 48, kur në mënyrë të papritur njëra nga gomat e pasme shpërtheu dhe piloti i Red Bull u përplas me barrierat e pistës pasi humbi kontrollin e makinës, duke lënë garën plot nerva. Një xhiro më pas, në të 49-tën, e njëjta gjë ndodhi me Lance Stroll, makina e të cilit pësoi dëme të mëdha dhe bllokoi edhe pistën. Komisarët e garës, të shqetësuar për shpërthimin e gomave urdhëruan ndërprerjen e garës. Pas më shumë se 30 minutave u vendos rikthimi në pistë, me Hamilton që në atë moment renditej pas pilotit te Red Bull, Sergio Perez. Gjithçka nisi nga vendet e startit dhe Hamilton sulmoi direkt Red Bullin e vendit të parë, por në kthesën pas pjesës së drejtë nuk frenoi dot dhe shkoi drejt, duke rrëshqitur në vendin e 16.

Perez në xhiron e mbetur nuk e la kryesimin dhe mundi të fitojë garën. Në vendin e dytë u rendit një ish-ferrarist: Sebastian Vettel me Aston Martin, që u gjend aty falë largimeve të kryesuesve. Podiumin e plotësoi Pierre Gasly me Alpha Tauri. Francezi kishte një duel të fortë në fund me Leclerc të Ferrarit, por arriti ta mbajë pozicionin. Pas 6 garave të para të këtij sezoni klasifikimi i përgjithshëm kryesohet nga Max Verstappen me 105 pikë i ndjekur nga Leëis Hamilton me 101 pikë dhe Sergio Perez me 69 pikë.

-->