Babai i Neymar, personi kryesor i prapaskenave – Zbulohen takimet e fshehta

Futboll 10 Maj 2018 11:17

Neymar qëndron, Neymar largohet, Neymar takohet, Neymar… Braziliani u bë lajm gjithandej, sidomos pas lëndimit të tij, ku edhe filluan zërat për largimin e tij nga skuadra e Paris Saint-Germain.

Mirëpo, edhe pse përmendej aty këtu edhe babai i futbollistit, pasi është edhe menaxheri i tij, kuptohet që njeriu prapa polemikave të sulmuesit 26 vjeçar me Nasser Al-Khelaifin dhe klubin e tij PSG, është pikërisht babai i tij.

Burime brenda gazetës franceze “Liberation”, kanë bërë të ditur se Neymar i Vjetri, ka kërkuar nga agjenti i mirënjohur Pini Zahavi, që ta fus djalin e tij në listën e lojtarëve që janë në dispozicion për t’u blerë, përkundër se kohë më parë personalisht sulmuesi Neymar, kishte bërë të ditur angazhimin e tij për të qëndruar në “Parce des Princes”.

Me këtë, kuptohet se Neymar në Paris i ka ditët e numëruara, së paku nëse punët shkojnë siç në prapaskenë po i planifikon i ati i tij.

“Liberation” zbulon po ashtu se, babai i Neymar në fund të muajit prill, kishte udhëtuar nga Brazili për t’u takuar me agjentin Pini Zahavi, në mënyrë që super agjenti izraelit të përgatisë përsëri një largim të njëjtë të Neymar, siç e kishte bërë një vit më parë, kur 25 vjeçari u largua nga Barcelona për në Paris për shumën rekord prej 222 milionë eurosh.

“Ai (babai i Neymar), i kishte thënë Pini Zahavit, që në mënyrë diskrete t’i informonte klubet më të mëdha në Evropë, se djali i tij është në dispozicion për t’u transferuar”, ishin fjalët e burimit të gazetës franceze, person që është i afërt me Neymar.

Megjithatë, nuk është anashkaluar edhe një mundësi tjetër, që i gjithë ky pluhur i ngritur për largimin ose jo të Neymar, është një opsion për ta mbështetur Nasser Al-Khelaifin për muri, në mënyrë që t’i sigurohet një rritje edhe më e majme page Neymar. /Insporti.com

 

 

-->