Bale dhe Reali i ndajnë rrugët

Futboll 22 Prill 2019 20:08

Real Madrid është gati të lërë të lirë sulmuesin uellsian Gareth Bale, por me një kusht: Ai do të luajë në një ekip tjetër në formë huazimi dhe jo duke e shitur 100% kartonin e tij.

Lajmin e ka konfirmuar e përditshmja spanjolle “Marca”, që sqaron se Premier League është destinacioni i mundshëm i 29 vjeçarit.

Bale nuk bën pjesë në planet e trajnerit Zinedine Zidane, por nga ana tjetër Reali nuk dëshiron të heqë dorë nga një lojtar që është paguar 100 milionë euro.

Për këtë arsye është vendosur që ai të lihet i lirë në formë huazimi.

Kontrata e Bale me skuadrën “merengues” skadon në verën e vitit 2022.

Premier League është kampionati i vetëm që mund të paguajë rrogën e shtrenjtë të sulmuesit, me Manchester United dhe Tottenham të gatshëm të rikthejnë lojtarin në Angli.

Skuadrat britanike kanë këmbëngulur më së shumti për lojtarin, që nga ana e tij ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Madrid edhe sezonin tjetër./Insporti