Ballacku e gjen trajnerin ideal të Bayern Munichut

Futboll 17 Prill 2019 14:21

Jose Mourinho do të kishte ndikim të madh pozitiv te Bayern Munich. Kështu mendon ish-mesfushori i shquar gjerman, Michael Ballack.

Trajneri portugez u largua nga stoli i Manchester United në dhjetor të vitit të kaluar dhe u zëvendësua me Ole Gunnar Solskjaer.

Në Mynih, Niko Kovac pati një fillim të dobët si trajner i Bayern Munich, duke i lejuar terren Borussia Dortmundit në krye të klasifikimit. Megjithatë, i ka kthyer gjërat në favor të bavarezëve në kampionat, kohët e fundit.

Sidoqoftë, eliminimi i hershëm nga Liga e Kampionëve nuk kapërdihet lehtë nga drejtuesit në “Allianz Arena”.

Ballack mendon se trajneri i njohur portugez do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm te gjigantët gjermanë, nëse merr përsipër drejtimin e tyre.

“Tani për tani, Niko Kovac është trajneri i Bayern Munich dhe kjo duhet të respektohet”, tha Ballack për Bild.

“Ai po bën një punë të mirë. Sidoqoftë, nuk mund ta mohojmë se në një moment, në të ardhmen, emërimi i Mourinhos si trajner do të sillte një ‘magji’ të caktuar në klub. Kjo gjë u pa me Pep Guardiolën, edhe pse nuk e fitoi dot Ligën e Kampionëve me Bayernin”, shtoi Ballack.