Bamforth lëndohet, në pikëpyetje për kombëtare?!

Kombëtarja 01 Shkurt 2018 00:08

Scott Bamforth, fundori i kombëtares së Kosovës nuk ka hyrë në ndeshjen e fundit që ekipi i tij Dinamo Sassari e ka zhvilluar me ekipin izraelit UNET Holon.

Bamforth ka kohë që vuan nga një lëndim në ije dhe paraqitja e tij në ndeshjet e kombëtares që zhvillohen në fund të muajit nuk është e sigurt.

Drejtori i kombëtares Arben Fetahu për Insportin pohoi se “jemi në kontakt të vazhdueshëm me Bamforthin dhe përzgjedhësi Greenberg ka qenë në ndeshjen e me Holonin në Izrael. Gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga ndeshja në ndeshje dhe është herët të themi a do të luajë për Kosovën apo jo. Sidoqoftë, trajneri Greenberg ka plan B në rast të mungesës së tij”.

Kosovari tjetër i natyralizuar, Shawn Jones, i cili po ashtu luan për Dinamo Sassari, pati 12 pikë dhe 8 kërcime për 19 minuta në ndeshjen me Holonin dhe është opsioni tjetër i selektorit Greenberg.

Përndryshe nga FBK, kanë bërë të ditur për Insporti se afati përfundimtar për dërgimin e emrave të lojtarëve për ndeshjet e shkurtit është të dielën.

Kosova në shkurt zhvillon ndeshjet me Poloninë (23 shkurt) dhe me Lituaninë (26 shkurt), të dyjat si mysafir, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës Kina 2019.

-->