Krasniqi flet pas barazimit të Feronikelit: Ishte përfundim me fat

Futboll 09 Korrik 2019 22:08

Përzgjedhësi i përfaqësueses U-19 të Kosovës në futboll, Ramiz Krasniqi, ka thënë se Feronikeli pati fat që mori një barazim në ndeshjen e xhiros së parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve ndaj skuadrës uellsiane, TNS.

Pas barazimit me rezultat 2-2 të Feronikelit ndaj The New Saints, Krasniqi, i ftuar në rolin e analistit në Radio Televizionin e Kosovës, tha se kampioni i Kosovës gaboi në dy golat e pësuar.

“I bëmë dy gabime në pjesën e dytë, edhe pse ishte deri aty një lojë mjaft e sigurt e Feronikelit. Goli i parë si pasojë e një penalltie të panevojshme. Ndërkaq, tek goli e dytë mendoj se ka qenë mos koordinim i portierit me mbrojtësin”, u shpreh Krasniqi.

Ish-trajneri i Feronikelit tha se përfundimi i lojës ishte me fat për skuadrën nga Drenasi.

“Feronikeli shfrytëzoi gabimet e kundërshtarit. Është një përfundim shumë me fat, sepse loja ka mundur të përfundonte 0-0, por përfundoi me rezultat 2-2”, deklaroi Krasniqi.

Ky rezultat është tejet i favorshëm për Niklin, pasi ka shënuar dy gola si mysafir që vlejnë shumë në Ligën e Kampionëve.

Ndeshja e kthimit në Prishtinë zhvillohet pas një javë në “Fadil Vokrri”. /Insporti.com