Barcelona me këtë rekord të pabesueshëm

Futboll 12 Korrik 2019 21:43

Barcelona po shpenzon para sikur të ishte në një krizë rezultatesh dhe të kërkonte zgjidhje. Klubi blaugrana konfirmoi pasditen e së premtes transferimin e Antoine Griezmannit, duke e blerë francezin nga Atletico Madrid për shumën e 120 milionë eurove.

Siç raportohet, janë ende disa detaje ekonomike për t’u saktësuar me drejtuesit e Atleticos, gjithsesi i pakontestueshëm është trendi i shpenzimeve astronomike të Barcelonës.

Tashmë janë shumë larg ditët kur katalanasit siguronin sukseset nga talentet prodhuara në akademinë e La Masia. Duket se Barcelona është e gatshme të boshatisë llogarinë bankare vetëm me qëllim që të rikthejë në “Camp Nou” trofeun e Champions League.

Konkretisht Barcelona i ka dhuruar vetes titullin si klubi i parë që shpenzon mbi 1miliard euro në blerje futbollistësh, në një periudhë 5-vjeçare, që starton nga sezoni 2014/15.

Katalanasit janë shpenzuesit më të mëdhenj në Evropë në këtë gjysmë dekade, në një fushatë të startuar me blerjen e Luis Suarezit nga Liverpool, për të vijuar me Ousame Dembele dhe Philippe Coutinho. Ndërkohë që vetëm në këtë verë, të pa nisur ende mirë, klubi blaugrana ka shpenzuar fuqishëm për blerjen e Frenkie de Jong dhe Griezmann.

Referuar statistikave të revistës holandeze “Voetbal International”, klasifikimi i klubeve që kanë shpenzuar më shumë në këto 5 vite, shoqëruar me shumën përkatëse, është si vijon:

  1. Barcelona – 1.08 miliard euro
  2. Manchester City – 996 milionë
  3. Manchester United – 890 milionë
  4. Chelsea – 875 milionë
  5. Juventus – 868 milionë
  6. Atletico Madrid – 800 milionë
  7. Paris Saint-Germain – 773 milionë
  8. Real Madrid – 755 milionë
  9. Liverpool – 714 milionë
  10. AS Roma – 586 milionë