Barcelona nuk gabon ndaj Celta Vigos, Messi shkëlqen sërish

Futboll 22 Dhjetor 2018 20:40

Barcelona ka triumfuar me lehtësi ndaj Celta Vigos me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të në La Liga.

Skuadra e Ernesto Valverdes ka marrë edhe fitoren e katërt radhazi në kampionatin spanjoll, duke vazhduar kështu si lider i kampionatit.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas dhjetë minutave lojë dhe ishte Ousmane Dembele, i cili shënoi për 1-0 pas një topi të kthyer nga portieri mysafirë.

Kur pritej që pjesa e parë të përfundonte në skenë doli ylli argjentinas, Lionel Messi, i cili me një gol të bukur qoi në pushim skuadrën e tij me epërsi 2-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë dhe të dyja skuadrat krijuan disa raste për gol. Megjithatë, asnjëra skuadër nuk arriti të tund rrjetën dhe ndeshja përfundoi me një fitore të Barcelonës me rezultat 2-0.

Pas kësaj fitore, Barcelona ka 37 pikë në vendin e parë, ndërsa Celta Vigo renditet në pozitën e 10-të me 21 pikë.