Barcelona – Real Madrid mund të mos luhet në “Camp Nou”, kjo është arsyeja

Futboll 16 Tetor 2019 13:59

Takimi i Barcelonës dhe Real Madridit i planifikuar për 26 tetor mund të zhvendoset nga stadiumi “Camp Nou” në “Santiago Bernabeu”, pasi që drejtuesit e La Ligës frikësohen se protestat e planifikuara për pavarësimin e Katalonjës do ta ndikonin rrjedhën e ndeshjes.

Goal.com raporton se autoritetet e futbollit në Spanjë kanë folur me të dyja klubet dhe kanë bërë kërkesë formale për ta ndërruar rendin e “El Clasicos” – fillimisht të luajë Real Madridi si vendas e pastaj Barcelona, përkundër që ishte planifikuar për të kundërtën.

Kërkesa vjen pas përleshjeve mes qytetarëve të Katalonjës dhe policisë për shkak të kërkesës për pavarësim të atij regjioni nga Spanja.

Demonstrata të mëdha janë planifikuar për të njëjtën ditë kur “El Clasico” pritej të zhvillohet në Camp Nou.

E gjitha kjo po ndodh pasi nëntë liderë politikë të Katalonjës u dënuan me burgim prej nëntë deri në 13 vjet nga Gjykata Supreme e Spanjës, për përfshirjen e tyre në një referendum për pavarësimin e Katalonjës në vitin 2017.

Protestat e planifikuara për 26 tetor bëjnë që ndeshja në Camp Nou të mos ketë mundësi të zhvillohet në kushte plotësisht të sigurta dhe për këtë arsye La Liga ka kërkuar që ajo të zhvendoset në “Santiago Bernabeu”.

Barcelona ishte ndër subjektet e para që reagoi nga vendimit të Gjykatës Supreme të hënën, duke e publikuar një deklaratë të titullar “Burgimi nuk është zgjidhja”.