Bardhyl Canolli, rasti kur ndjenja e mposht arsyen (VIDEO)

FASK 12 Maj 2018 17:24

Pasioni i Bardhyl Canollit për automobilizëm pa asnjë dyshim është shumë i madh. Pas aksidentit të tmerrshëm që e pati pësuar në Krujë më 11 shtator të vitit 2016, ai pati nevojë t’i nënshtrohej një tjetër operacioni, të cilin e kreu më 11 prill të këtij viti, që do të thotë vetëm një muaj më parë.

Vetë ai pati thënë se, sivjet nuk e ka ndërmend të garojë, por ndodhi e kundërta. Bardhi nuk mundi t’i rezistojë pasionit, sot u paraqit me Radicall-in e tij në garën e disiplinës malore në Grashticë, ku gjatë ditës së sotme u zhvilluan dy garat kualifikuese, madje u rendit i pari në plasmanin e përgjithshëm me kohën prej 01:42.362 minuta.

“Është e vërtetë që pata deklaruar se nuk do të marr pjesë, por  sapo afrohej fillimi i kampionatit aq më tepër më rritej dëshira për ta parë veten në shteg. Jam i vetëdijshëm se nuk është në rregull kjo që po e bëj, por pasioni i madh po ndikon që ndoshta ta humb arsyen”, ka thënë Canolli për Insporti.com  pas paraqitjes së sotme në shtegun në Grashticë, ku synon që edhe nesër të ketë sukses./Insporti.com/.

 

-->