Basha: Dominuam Dritën, rrethana tjera nuk na kanë lejuar që të kemi më shumë pikë

Superliga e Kosovës sot ka prodhuar emocione të shumta nga pesë ndeshjet që janë zhvilluar, shkruan Insporti.com.
Trajneri i Ballkanit, Ardian Basha për mikrofonin e “Art Sport” deklaroi se skuadra e tij dominoi ndeshjen por iu mungoi finalizimi i rasteve për gol.
“Falënderoj presidentin e klubit dhe të gjithë që ma besuan detyrën e trajnerit. Bëmë gjithçka, dominuam lojën, kishim shumë raste, por pak çaluam te konkretizimi. Mendoj se kemi bërë maksimumin dhe e kemi përgatitur ndeshjen taktikisht që ta qarkullojmë topin e të rrezikojmë. Loja shkoi ashtu siç e planifikuar”.
Basha po ashtu se disa rrethana tjera nuk e kanë lejuar skuadrën e Ballkanit të ketë më shumë pikë të grumbulluara.
“Jam shumë i lumtur me angazhimin dhe do të vazhdojmë edhe në dy ndeshjet tjera të japim maksimumin, deri kur të përfundojë gara. Ne kemi qenë skuadra që e ka bërë spektaklin. Mendoj që kemi mundur të arrinim më shumë. Rrethanat tjera nuk na kanë lejuar që të kemi më shumë pikë. Në momentet vendimtare nuk po na japin atë që na takon”, përfundoi ai.
Basha u caktua si trajner i përkohëshëm pas shkarkimit të Bledi Shkëmbi nga klubi i Ballkanit.
Ballkani tashmë pas këtij barazimi ka mbetur jashtë garës për titull, ndërsa ende në garë për vendin e dytë që dërgon në Evropë.
Pas 34 xhiro, Ballkani renditet në vendin e tretë me 69 pikë, një më pak se sa Drita që mban të dytin me 70 pikë, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të sezonit. /Insporti.com/