Bashkimi, nënkampion i BIBL

Basketboll 15 Prill 2018 17:53

Takimi final i ligës ballkanike filloi me basketboll të dobët, por të barabartë. Bashkimi kishte epërsi në minuta te parë, kryesisht në saje të shënimeve pas kërcimeve në sulm. Ekipi prizrenas madje arriti të krijojë epërsi 18:10, mirëpo, prej atij momenti e deri në fund të çerekut të parë, huqi tri tentime nga loja, dy gjuajte të lira dhe humbi një top, duke bërë që çereku i parë të përfundojë 15:18.

Në dhjetëminutëshin e dytë trapezi ishte e vetmja pozita prej nga Bashkimi mund të shënonte, në anën tjetër Levski vrapoi shumë më shumë, sidomos në sulm dhe shënoi pesë treshe, tri nga të cilat i shënoi ish basketbollisti i Sigal Prishtinës, Stanimir Marinov.

Bashkimi shënoi vetëm 2 pikë nga loja në 210 sekondat e fundit të pjesës së parë, duke humbur topa, tentime nga loja dhe duke huqur dy nga shtatë gjuajtjet e lira që u akorduan në të mirë të këtij ekipi.

Topat e humbur ishin në pozita nga të cilat Levski lehtë shënonte nga kundërsulmet dhe shënimi i pesë tresheve të shpejta, i mundësoi ekipit bullgar të përmbysë rezultatin dhe të përfundojë pjesën e parë me rezultat 42:37.

Bashkimi në 20 minutat e parë shënoi një treshe nga 6 tentime dhe loja e mirë e Stutz e mbajti ekipin gjallë në ofanzivë.

Pas pesë minutave lojë në çerekun e tretë Bashkimi u afrua në vetëm një pikë dallim 52:51 dhe në atë kohë trajneri i prizrenasve Radovic vendosi të luajë mbrojtje zonale 2-3 edhe pse kishte “hëngër” pesë treshe në çerekun e dytë.

Bullgarët e ndëshkuan këtë veprim taktik të prizrenasve duke shënuar dy treshe të njëpasnjëshme dhe duke bërë seri 11:2 për 3 minuta.

Në minutën e fundit të çerekut të tretë Levski hyri me epërsi prej 10 pikëve 63:53, por Bashkimi u kthye në lojë pas një koshi me faul në Stutzit dhe një tresheje të Tmusicit në sekondat e fundit.

Ekipet hynë në çerekun e fundit me rezultat 59:63, mirëpo, këtë periudhë Levski e nisi me seri 8:0, duke arritur epërsi prej 12 pikëve të cilën Bashkimi i kishte 8 minuta për ta neutralizuar.

Ky në fund doli të jetë mision i pamundur për ekipin prizrenas, që në fund pësoi humbje 72:83.

Stutz me 21 pikë e 8 kërcime ishte basketbollisti më i mirë i Bashkimit, kurse Marinov me 20 pikë ishte basketbollisti më i mirë i Levskit.

 

Statistikat e plota mund ti shihni këtu.