Bashkimi triumfoi në derbin e fqinjëve

Superliga 04 Shkurt 2018 19:01

Bashkimi e ka mposhtur Golden Eagle Yllin në Suharekë me shifrat 88:82, në kuadër të javës së 18-të të IP Superligës  së Kosovës në basketboll, duke u përforcuar në pozitën e dytë, tani me 31 pikë, pesë më pak se Sigal Prishtina që e kryeson renditjen. Ndërsa, Golden Eagle Ylli renditet në pozitën e tretë me 28 pikë.

Mikaile Tmusic me 20 pikë të shënuara ishte më efikasi te prizrenasit, Edmond Kryeziu i shtoi 17 sosh, ndërsa pikë dyshifrore patën edhe: Aaron Moss (14), Vincent Zollo (13) dhe Altin Morina e Urim Zenelaj nga 12 pikë.

Në radhët e vendësve  më i miri ishte Michael Harmon me 33 pikë, që njëherësh ishte edhe më efikasi në ndeshje. Kapiteni Artin Gashi kontribuoi me 14, ndërsa Leonard Mekaj e Dragan Sekelija shtuan nga 12, përkatësisht 11 pikë.

Në pjesën më të madhe ndeshja u karakterizua me rivalitet të fortë, diçka që edhe pritej. Çereku i tretë ishte përcaktues, gjatë të cilit prizrenasit ishin dukshëm më të mirë. Këtë dhjetëminutësh e fituan me shifrat 32:21 për të hyrë në çerekun e katërt me tetë pikë dallim (68:6), epërsi të cilën e kontrolluan deri në fund dhe në këtë mënyrë shënuan fitoren e radhës.