Basholli pret tjetër paraqitje të mirë të Kosovës

Kombëtarja 17 Korrik 2019 21:33

Përfaqësuesja e Kosovës U 21 në hendboll ka pësuar humbje nga Kroacia në ndeshjen e parë në kuadër të Kampionatit Botëror që po mbahet në Spanjë, por paraqitja e “Dardanëve” është vlerësuar mjaft e mirë.

Hendbollistët tanë janë para një sfide edhe më të vështirë, pasi do të përballen me Hungarinë, por Atdhe Basholli shpreson në një tjetër paraqitje të mirë.

“Po rikuperohemi nga ndeshja me Kroacinë dhe në të njëjtën kohë po përgatitemi për ndeshjen ndaj Hungarisë, që e luajmë të enjten nga ora 20:00. Vërtet me Kroacinë jemi angazhuar maksimalisht dhe përkundër humbjes mendojmë se ishte debutim i suksesshëm për Kosovën në kampionate botërore në të gjitha sportet. Tani na pret ndeshje tjetër e vështirë me Hungarinë dhe në fushë do të dalim të përqendruar maksimalisht. Do të japim të gjithë maksimumin për të prezantuar ngjyrat e shtetit në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë po na vlerësojnë për angazhimin dhe kështu do të jetë edhe nesër, luftë për çdo top”, ka deklaruar Basholli, që ndaj Kroacisë ka luajtur ndeshjen më të mirë të tij me Përfaqësuesen e Kosovës.

Kontributi i Bashollit si në mbrojtje ashtu edhe në sulm është vlerësuar lart. Prej tij dhe të tjerëve pritet ndeshje tjetër me angazhim maksimal.