Basketbollistit serb iu mohua Botërori pasi pranoi realitetin për Kosovën

Basketboll 15 Maj 2020 12:46

Basketbollisti serb Nikola Kaliniq kishte bërë bujë vitin e kaluar kur kishte pranuar realitetin sa i takon Kosovës. Kishte shumë reagime ndaj deklaratave të tij, ndërsa kritikat ishin të shumta nga opinioni në Serbi.

Kaliniq këtë javë ka folur sërish për ato deklarata dhe ai ndien se ka mundur të mbetet jashtë botërorit për shkak të qëndrimeve publike të tij.

Kaliniq (28) është nga Subotica, ndërsa luan me sukses për Fenerbahçen në Turqi. Te Fenerbahçe është prej vitit 2015, ndërsa vlerësohet lartë.

Në një intervistë për “blic.rs” ai kishte pranuar se Serbia e ka humbur Kosovën.

“Prej kur di për vete, ndërsa jam i lindur në vitin 1991, ekzistojnë problemet dhe grindjet për Kosovën. Jam i vetëdijshëm që shumë do të më urrejnë tani, por koha është që dikush të thotë këtë publikisht: ‘Le ta zgjedhim këtë problem më, të nxjerrim çka të mundemi dhe të ecim para’. Beteja e Kosovës ka qenë para më shumë se 600 vjetëve dhe për shumë dekada ajo më nuk është territor i ‘yni’. Le të më përmirësojnë të vjetrit dhe më të mençurit nëse gaboj. Askush nuk jeton nga e kaluara dhe sa më shpejtë që pajtohemi me të tashmen dhe vazhdojmë para, do të jetë më mirë për ne. Nuk jemi popull hyjnor dhe as që kemi qenë ndonjëherë. Kemi pasur momente të ndritura në të kaluarën por duhet të pajtohemi me atë që tani jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës. Kush nuk më beson le të udhëton pak nëpër botë dhe le t’u thotë të huajve prej nga është dhe kush është. Do të përjetoj shok, jam i sigurt. Unë e kam përjetuar atë”, kishte thënë Kaliniq ndër të tjera.

Deklarata i kishte kushtuar edhe në karrierën te Serbia, si shenjë që në këtë vend ende refuzojnë të pranojnë realitetin, se Kosova është e pavarur. Kaliniq mbeti jashtë botërorit të vitit të kaluar.

Sajti “b92.net” ka shkruar tani se është spekuluar se qëndrimet e Kaliniqit ndaj Kosovës janë arsye që nuk ishte në turneun e vitit të kaluar.

“Kjo është pyetje për atë që ka bërë ekipin. Ndoshta ka ndikuar, ndoshta jo. Nuk isha i zemëruar, por i shqetësuar që askush nuk më ka thënë të paktën një ditë më herët. Kam qenë pesë vjet në reprezentacion. Është në rregull që mos të marr ftesë për Botëror, por të paktën kam merituar të marr një porosi. Nuk kam problem që të ftohet dikush tjetër”, ka thënë Kaliniq.

-->