Batatina e Tovërlani për idenë e prokurorit dhe ndeshjet e dyshimta

Futboll 21 Shkurt 2018 15:16

Pas publikimit të idesë për iniciativën e emërimit të një prokurori që do të merret me futbollin e Kosovës, Insporti ka marrë reagimet nga dy prej trajnerëve të njohur kosovarë.

Afrim Tovërlani, ish trajner i shumë ekipeve kosovare, për Insporti deklaroi: “Kjo ide është shumë e qëlluar dhe e domosdoshme dhe se nuk kam dëshirë në asnjë mënyrë që të vijë sindromi i ekipeve të Shqipërisë. Duhet gjetur të gjitha mënyrat për luftimin e dukurive negative, sidomos ne që jemi pranuar të fundit në UEFA”.

Trajneri i Llapit Tahir Batatina, po ashtu e përkrah këtë ide dhe beson “duhet ndërprerë trendet negative sepse UEFA po na monitoron çdo klub, çdo individ e çdo detaj. Nuk guxon të na ndodhë situata si në Shqipëri”.

I pyetur nëse është i njoftuar me ndonjë rast që duhet të hetohet apo dyshohet për kurdisje, Batatina dha përgjigje interesante: “Çka ka ndodhur para se të pranohemi, e dimë të gjithë dhe me atë punë nuk ia vlen të merremi. Që nga pranimi e tutje, nuk di për raste të dyshimta”.

Mbrëmë, Federata e Futbollit e Kosovës bëri të ditur se Kryetari i FFK-së Fadil Vokrri ka njoftuar anëtarët e KE-së se së shpejti pritet të mbajë një takim me prokurorin e shtetit, të cilit do t’ia shtrojë kërkesën për angazhimin e një prokurori vetëm për futbollin.

-->