Batatina flet pas humbjes – Dua që kjo skuadër të jetë kampion, do të rikthehemi fuqishëm

Futboll 15 Maj 2019 18:16

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka deklaruar se arsyeja e humbjes ishte motivimi më i madh i skuadrës së Feronikelit për këtë takim.

Batatina deklaroi për Supersport Kosova se rasti i Valmir Veliut ka ndikuar tek futbollistët e tij dhe se e ka pasur të vështirë për t’i motivuar futbollistët.

“E kam ditë që është shumë vështirë për të motivuar skuadrën ndaj Feronikelit, pas humbjes ndaj Prishtinës si dhe lëndimi i Valimr Veliut ka ndikuar tek futbollistët. Kemi dominuar në pjesën e parë, ishim më të mirë shënuam golin e parë, pastaj pranuam një gol të shpejt. Më duhet të them se arsyeja e humbjes është edhe motivimi i skuadrës mysafire. Golin e tretë nuk është dashur ta pranojmë”, ka deklaruar Batatina për Supersport Kosova, transmeton Insporti.com.

Batatina ka shtuar se Llapi gjithmonë do të jetë në garë për titull të kampionit dhe se sezonin e ardhshëm do të rikthehen fuqishëm.

“Gjithmonë kemi luftuar për titull të kampionit, Llapi asnjëherë nuk e ka diskutuar mbijetesën apo barazhin. Mendoj që për shumë tifozë të Kosovës jo vetëm të Llapit, se ne jemi kampion me lojë, por humbja ndaj Prishtinës na humbi gjasat për titull të kampionit. Prishtinës dhe Feronikelit i dëshirojë ndeshje të mirë, le të fiton më i mirë”, ka shtuar strategu llapjan.

Ai po ashtu ua ka premtuar se sezonin e ardhshëm stadiumi i Llapit do të jetë si stadiumi i Barcelonës “Camp Nou” dhe se asnjë futbollistë nuk do të largohet.

“Tifozët llapjanë e dijnë shumë mirë karakterin tim, sezonin e ardhshëm do të shihni një stadium komplet të ri, pasi do të përfundojnë punimet, do të jetë si “Camp Nou”. Llapi do do të luftojë për titull të kampionit dhe për daljen në Evropë, asnjë futbollistë nuk do të largohet pasi kam biseduar me ta dhe e kam parë se duhet t’i bëjmë dy apo tri përforcime”, ka përfunduar Batatina.

Me këtë humbje Llapi renditet në pozitën e tretë me 69 pikë, ndërsa “Nikli” vazhdon të jetë lider i Superligës me 77 pikë.

Kujtojmë se javën e ardhshme Feronikeli është nikoqir i Prishtinës në xhiron e fundit të kampionatit dhe në atë ndeshje do të përcakohet kampioni i ri i Kosovës në futboll. /Insporti.com/