Batatina i ndërron qëndrimet për pak muaj për Agim Ademin

Futboll 04 Dhjetor 2020 21:21

Raporti i trajnerit dhe donatorit të Llapit, Tahir Batatinës me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, ka pësuar një ndryshim të madh gjatë këtij viti, shkruan Insporti.

Rreth 9 muaj më parë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, kishte reaguar pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit, ku kryetari i FFK-së, Agim Ademi dënohej me nëntë muaj burg efektiv.

Batatina kishte kërkuar që Ademi të largohej menjëherë nga drejtimi i Federatës së Futbollit të Kosovës, duke thënë se “askush nuk ka të drejtë të shkatërrojë punën e Fadil Vokrrit”, kryetarit të ndjerë të FFK-së, dhe se qëndrimi i Ademit në krye të Federatës dëmtonte rëndë imazhin e futbollit në Kosovë.

“Futbolli ynë nuk guxon të sanksionohet për shkak të veprave kriminale të askujt. Askush nuk ka të drejtë të shkatërrojë punën e madhe të legjendës Fadil Vokrri. Çdo minutë i qëndrimit të Agim Ademit në FFK e dëmton rëndë reputacionin e futbollit tonë” – kishte shkruar Tahir Batatina atëbotë në rrjete sociale.

Por tani, nëntë muaj më pas, duke se trajneri i Llapit ka ndryshuar qëndrim për kryetarin e FFK-së. Ademi pardje është falenderuar për përkrahjen e dhënë në projektin për rinovimin e fushës në stadiumin e Llapit “Zahir Pajaziti”, ku do të kalohet nga bari sintetik në atë natyral.

“Pas përfundimit të ndeshjeve kampionale të edicionit vjeshtor do fillojnë punimet në ndërrimin e fushës nga bari sintetik në bari natyral, rregullimi i sistemit të ujitjes dhe rregullimi i dranazhimit që në edicionin pranveror, KF Llapi të zhvilloj ndeshjet me bari natyral”.

“KF Llapi falenderon të gjitha klubet që na përkrahën, Komitetin Ekzekutiv, Presidentin e e FFK-së, Agim Ademi, nënkryetarin, Agim Dibrani dhe Sekretarin gjeneral, Eroll Salihu për mbështetjen e ofruar ku ndërrimin e barit do ta financoj FFK-ja, ndërsa sistemin e ujitjes, dranazhimet do t’i kryejnë donatorët e klubit, vëllezërit Batatina” – shkruhej në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Llapit.

Në një prononcim për Insportin, trajneri i Llapit u deklarua se fjalët drejtuar Agim Ademit, janë nxjerrur nga konteksti dhe se ai nuk është person që vlerëson të tjerët me epitete të caktuara.

“Ndoshta ka qenë e nxjerrur nga konteksti ajo fjalë, se nuk jemi ne që vlerësojmë njerëzit me epitete të caktuara. E kemi kundërshtuar për gjërat që tashmë dihen, për padrejtësitë por asnjëherë nuk i kam thënë kriminel. Kjo është shumë e rëndë” – u shpreh ai.

Megjithatë, Batatina e pranoi se raportet me Ademin janë përmisuar, duke u shprehur se për të nuk ka rëndësi se kush është në krye të Federatës, por që futbolli në vend të ec përpara.

“Kur unë kam folur, të tjerët kanë menduar që e kam keq. Tash nuk ka nevojë me fol, po i lejmë të tjerët me u anku. Po, normale që i kemi përmirësu raportet, pasi unë kam kërkuar drejtësi. Unë kam reaguar për parregullsitë që janë në dëm të futbollit dhe rregullsitë që janë në dobi të futbollit. Mendoj që edhe vet ai e ka pa që reagimet e mia nuk kanë qenë të qëllimshme, por kanë qenë për të mirën e futbollit. Për mua nuk është me rëndësi kush është në krye të Federatës, por që futbolli të ec përpara’’ – përfundoi ai.

Por një qasje e tillë miqësore, nuk kishte ekzistuar në janar të këtij viti, ku në Kuvendi Zhgjedhor për anëtarët e komunitetit ekzekutiv të FFK-së, ai kishte thënë se Ademi kishte shkelur statutin e Federatës dhe se e kishte uzurpuar atë pozitë.

Gjatë këtij viti, Batatina kishte mbështetur të birin e legjendës Fadil Vokrri, Gramoz Vokrri, për t’u bërë kryetar, madje në krahë të tyre ishte edhe Bekim Haxhiu, njëri nga kundërshtarët kryesor të Agim Ademit.

No description available.

Koha si duket i ka kuruar mardhëniet e dyshes vendore, dhe se tani ekziston një mirëkuptim dhe raport i mirë mes atyre që muaj më parë cilësoheshin si “armiq” të njëri-tjetrit./Insporti.com/

-->