Batatina jep versionin e tij, tregon çfarë liste ka nënshkruar

Futboll 14 Janar 2020 19:43

Tahir Batatina ka deklaruar se lista e nënshkrimeve e publikuar në medie është për ndryshimin e statutit të FFK-së dhe jo për rrëzimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, shkruan Insporti.com.

Në pasditën e sotme është publikuar një listë prej 22 nënshkrimeve, listë në të cilën figuron edhe emri i trajnerit të Llapit, Tahir Batatina.

Insporti ka kontaktuar me trajnerin llapjan për të sqaruar situatën e krijuar. Sipas Batatinës, lista është për ndryshimin e statutit, që e kanë nënshkruar para disa ditësh pas një takimi me krerët e klubeve. “Kjo është listë për ndryshimin e statutit të FFK-së dhe nuk ka të bëjë për rrëzimin e Agim Ademit. Janë 33 nënshkrime dhe jo 22 ashtu siç është publikuar. Listë për ndryshimi e statutit, ku shumë mirë ceket se Komitetin Ekzekutiv duhet ta përbëjnë klubet e Superligës dhe Ligës së Parë, është qëllimi që njerëzit që dhurojnë mjetet financiare t’i mbrojnë të drejtat e tyre dhe jo dikush të tjetër që nuk jep mjete financiare dhe duhet të shkojë të shëtitet në shtetet evropiane, siç ka ndodhur deri më tani”.

Batatina, tutje ka deklaruar se kur do të bëhen nënshkrimet për rrëzimin e Ademit, do të bëhen publike.

Sipas listës që është publikuar në disa medie, opozita e FFK-së ka arritur të siguroj vetëm 22 nënshkrime, e jo 41 siç kishte pretenduar Arianit Ahmeti. Në këtë listë figurojnë edhe nënshkrimet e Vehbi Ademit dhe Armend Ademi në emër të Flamurtarit. Por, këta të dy nuk përfaqësues të klubit “kuqezi”.

Image

 

Mbledhjen e nënshkrimeve e ka nisur ish zëvendës sekretari i FFK-së, Arianit Ahemti, i cili muaj më parë shpalli kandidaturën e tij për Kryetar të Federatës së Futbollit.

Në këtë listë figurojnë edhe emrat e presidentëve të Superligës, Arsim Kabashi e Abedin Zeka që me deklaratat e tyre kanë shkaktuar shumë reagime në ditët e fundit.

Në listë ndodhen nënshkrimet e delegatëve të Llapit (2), Trepçës ’89 (2), Ballkanit (2), Drenicës (2), Flamurtarit (2) si dhe disa klubeve të Ligës së Parë.

Për ta thirrur Kuvendin, duhen 33 nënshkrime të delegatë nga 56 sa janë në total. /Insporti.com/

 

 

 

-->