Batatina: Kërkojmë falje publike në rast se FFK na dëshmon të kundërtën

Superliga e Kosovës 04 Mars 2019 10:40

Fundjavën e kaluar në IPKO Superliga e Kosovës u zhvillua derbi rajonal ndërmjet KF Llapi dhe KF Prishtina, të cilin e fitoi skuadra llapjane me rezultat 1:0.

Llapi me këtë fitore ka hapur garën për titull duke u renditur në pozitën e tretë me 41 pikë, vetëm dy pikë më pak se sa rivali, Prishtina, e cila renditet në pozitën e dytë me 43 pikë, ndërsa në të parën renditet KF Feronikeli me 48 pikë.

Derbi i cili u zhvilua të shtunën, ishte me tensione në fushë, pasi kapiteni i skuadrës nga kryeqyteti, Armend Dallku, u përjashtua me karton të kuq në fund të ndeshjes.

E, këto tensione janë bartur dhe jashtë fushës. Një ditë pas përfundimit të ndeshjes, drejtori sportiv i Llapit, Tahir Batatina, deklaroi se Prishtina kishte pranuar një premi nga Federata e Futbollit së Kosovës prej 38 mijë euro, për ta mundur skuadrën e tij.

Tani akuzave i është bashkuar edhe Feronikeli, të cilët kanë shtruar disa pyetje në drejtim të Ademit, se kinse ky i fundit po punon në dëm të klubit të tyre.

Batatina iu është përgjigjur dhe Afrim Muçiqit nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook, pasi ky i fundit e ka quajtur “Zhatatina”.

Insporti ka kontaktuar drejtorin sportiv të Llapit, Tahir Batatina, i cili ka deklaruar se do të kërkojë falje publike në rast se FFK-ja ia dëshmon të kundërtën.

Ai po ashtu ka thënë se kanë kërkuar raportin financiar nga FFK-ja se sa mjete ia dërguar Prishtinës dhe klubeve të tjera.

“Unë i respektoj të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë. Reagimet e mia kanë qenë të sakta dhe këtë do ta dëshmoj dita – ditës, kështu që drejtësia dikujt i dhembë, por do të jetë e ndershme për futbollin e Kosovës dhe për të gjithë ata që kontribojnë për fubtollin”, tha Batatina.

Tutje, ai ka deklaruar se as Prishtina nuk e ka mohuar se ka pranuar para nga FFK-ja.

“Ne kemi bërë reagimin zyrtar do të presim konfirmimin nga Federata e Futbollit të Kosovës, që të na japin sqarimet për mjetet financiare, të cilat as Prishtina nuk i ka mohuar se i ka pranuar dhe as Federata nuk e cakton se sa mjete financiare ia ka dërguar, asnjëherë nuk ceket vlerat, por ne kemi kërkuar raportin financiar dhe nëse ne kemi gabuar, atëherë ne do të kërkojmë falje publike, megjithatë këtë do ta shohim pas raportit”, ka thënë Batatina.

Ai ka shtuar se nga ky raport pritet të kuptohet se cila është shuma që ka marrë Prishtina, Llapi apo klubet tjera.

“Do të presim raportin financiar të bankës dhe të shohim se sa mjete i ka marrë Prishtina, Drenica, Feronikeli, Llapi apo klubet të tjera. Unë i kam mbrojtur të gjitha klubet e Kosovës, sepse të gjitha duhet të jemi të barabarta, sepse të gjithë kontribojmë në futboll dhe asnjë klub nuk duhet të ketë privilegje apo ndonjë individ i caktuar”, ka përfunduar Batatina. /Insporti.com/

-->