Bayern Munchen fillon negociatat me pasardhësin e Heynckes

Futboll 21 Mars 2018 15:24

Derisa po i afrohemi fundit të sezonit në Bundesliga, drejtuesit e skuadrës Bayern Munchen, e cila sipas gjitha gjasave do të shpallet kampion në Gjermani, kanë filluar të mendojnë për pasardhësin e trajnerit Jupp Heynckes.

Heynckes ishte rikthyer në bankinën e ekipit bavarezë pas shkarkimit të italianit Carlo Ancelotti dhe marrëveshja me 72 vjeçarin ishte deri në fund të këtij sezoni.

Ndër emrat që u përfolën më herët, ishte edhe ai i trajnerit të Borussia Dortmund, Peter Stoger, mirëpo së fundmi sipas “Sport Bild”, thuhet se drejtori sportiv i Bayern, Hasan Salihamidzic, e sheh Mauricio Pochettinon si alternativën më të mirë.

Madje sipas gazetës gjermane, ish-mesfushori bavarez, Dietmar Hamann, ka deklaruar se drejtuesit e Bayern Munchen veçse i kanë nisur kontaktet e para me trajnerin e Tottenham, Mauricio Pochettino.

Mirëpo, sipas informacioneve thuhet se pikërisht skuadra e Tottenham Hotspur, do ta kishte të vështirë të hiqte dorë nga trajneri argjentinas, pasi “Spurs” janë në rrugë të mbarë për të qenë sërish pjesë e Ligës së Kampionëve edhe sezonin tjetër. /Insporti.com

-->