Bayern Munichu i afrohet titullit – i duhet vetëm edhe një fitore

Futboll 15 Qershor 2020 09:05

Ashtu siç ka bërë disa herë gjatë këtij sezoni të pazakontë, Bayern Munichu tregoi karakter në sfidën që e pati dhe iu përgjigj rrethanave më së miri. Vetëm pak ditë pas fitores në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë kundër Eintracht Frankfurtit, Bayernit i munguan disa lojtarë kyç për shkak të lëndimeve dhe suspendimeve, dhe përballej me ekipin ndaj të cilit kishte humbur në duelin e luajtur në dhjetor. Dhe përderisa ata ishin të dytët më të mirët në periudha të gjata kundër Borussia Monchengladbachut, sërish mbizotëruan.

Leon Goretzka e shënoi golin e fitores katër minuta para fundit, ndërsa Benjamin Pavard me autogol e zhvlerësoi shënimin e Joshua Zirkzees në periudhën e parë të lojës. Bavarezët tani janë vetëm një fitore larg për ta siguruar titullin e kampionit në Bundesligë.

 Sezon i problemeve – dhe i përgjigjeve

Kur Niko Kovac e humbi vendin e trajnerit në vjeshtën e vitit të kaluar, bordi e identifikoi Hansi Flickun si trajner të ri, i cili në mënyrë të përkryer e të shpejtë i kombinoi eksperiencat taktike dhe drejtuese, në të cilat kishte ngecur Kovaq.

Pasi Thomas Muller i rezistoi pjesës së parë të vështirë të sezonit, gjermani u kthye dhe e barazoi rekordin e Bundesligës për asistime.

Kur gjysma e zgjedhjeve të para në fazën e mbrojtjes mungoi për shkak të lëndimeve, Bayerni improvizoi duke futur në krahun e majtë të mbrojtjes një tinejxher – dhe Alphonso Davies ka qenë zbulimi.

Dhe kur pandemia e koronavirusit e futi Bundesligën në pauzë për dy muaj, bavarezët u përgjigjën duke fituar çdo ndeshje prej rikthimit duke shënuar 17 gola e duke pranuar vetëm 4, e kjo bëri që ata të largoheshin në distancën për titull.

Fitorja e minutave të fundit e Borussia Dortmundit në Dusseldorf të shtunën pati kuptimin se Bayerni nuk arriti ta sigurojë titullin kundër Gladbachut, por vizita e Marco Roses në Frottmaning, përsëri paraqet një sfidë të rëndësishme.

Me Mullerin dhe Robert Lewandowskin e suspenduar dhe Daviesin e Kingsley Comanin, të lodhur nga gjysmëfinalja e Kupës, Flick ishte i detyruar të bënte disa ndryshime. “Kjo ndodh për shkak se kemi shumë ndeshje”, ka shpjeguar ai para ndeshjes.

Lucas Hernandez u paraqit vetëm për herën e nëntë nga fillimi këtë sezon, Mikael Cuisance për herën e parë ndonjëherë filloi për Bayernin – kundër ish-klubit, ndërsa Joshua Zirkzee e zëvendësoi Lewandowskin në sulm.

Ishte koha për ta parë se sa e mirë është kjo skuadër e Bayernit në të vërtetë.

Bayerni i dytë më i mirë

Gjatë periudhës së parë të lojës, Gladbachu – që po ashtu ishte në mungesë të golashënuesit më të mirë Alassane Plea – pasoi më shumë, pati më shumë ndërhyrje dhe vrapoi më shumë se Bayerni, me meritë i barazoi shifrat në 1:0 falë autogolit të Pavardit.

Pa Mullerin që e koordinonte presingun e Bayernit në fazën e sulmit, Gladbachu pati më shumë kohë në planifikimin e aksioneve, ndërsa sulmuesit Patrick Herrmann iu anulua një gol për pozitë jashtë loje.

Por edhe pse nën presion, Bayernit i duhej një gol hapës. Kur Cuisance e futi Yann Sommerin nën presion, portierin zviceran, i cili heroikisht priti një tentim nga Hernandezi vetëm një minutë më vonë, e dha topin drejt e te Zirkzee dhe 19-vjeçari me lehtësi e shtyu topin nga distanca në portën e zbrazët.

Gladbachu e filloi pjesën e dytë përpara po ashtu, por mungesa e Pleas dhe Marcus Thuramit, që u larguan për shkak të dëmtimeve, humbi rastet që i pati. Dhe Flick vendosi që këmbët e freskëta të Daviesit dhe Comanit mund t’i përballojnë 30 minuta, e kjo ndikoi pozitivisht.

Dy etapa përfunduan, ka mbetur edhe një

“Bëmë gjithçka mirë për 60 minuta, por filluam të mbroheshim shumë e më shumë në 30 minutat e fundit pas zëvendësimeve”, shpjegoi mesfushori i Gladbachut, Cristoph Kramer.

“Kundër kualitetit të Bayernit, përballesh me aksione të vazhdueshme. Nuk mund të gabosh në posedim, por kjo është çfarë ne bëmë”.

Gabimi erdhi nga Oscar Wendt. Kur Davies e lëvizi topin para në krahun e djathtë, mbrojtësi i djathtë veteran e humbi pamjen e avancimit të Pavardit. Francezi me të parën harkoi dhe Goretzka mbërriti me kohë për të shënuar në javën e dytë rresht.

“Ajo ishte një punë shumë e vështirë. Duhej të bënim zëvendësime, ndërsa Gladbachu pati kohë të rimarrë veten”, tha me pamje të çliruar pas ndeshjes Flick, duke zbuluar se Bayerni i ka ndarë nëntë ndeshjet e Bundesligës pas koronavirusit në tri etapa.

Etapa e parë dhe e dytë deri tani janë kompletuar në mënyrë të përkryer. Fillimi i suksesshëm i etapës së tretë në Werder Bremen të martën në mbrëmje do t’i kurorëzonte me titullin e kampionit; përgjigjja më e madhe kumbuese e të gjithave në fund të një sezoni të padëgjuar ndonjëherë.

-->