Bayerni fiton edhe Kupën e Gjermanisë

Futboll 04 Korrik 2020 22:10

Bayern Munich ka arritur të shënojë fitore ndaj Bayer Leverkusen me rezultat 4-2 në finale të Kupës së Gjermanisë.

Ndeshja e zhvilluar në Olympiastadion të Berlinit, nisi shumë mirë për bavarezët, që kishin dy raste të mira me Leon Goretzkan dhe Serge Gnabryn, por që nuk arritën të shënonin.
Por goli erdhi në minutën e 16-të. David Alaba shënoi me një gjuajtje perfekte nga goditja e dënimit.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli i dytë për Bayernin. Serge Gnabry shënoi gol pas një asistimi të Joshua Kimmich (2-0).

Në pjesën e dytë Bayerni arriti që të shënojë edhe dy herë.

Fillimisht ishte Robert Lewandowski që shënoi për 3-0 me një goditje të bukur nga distanca, pas edhe një gabimi të portierit.

Aspirinat’ provuan të kthehen në lojë kur shënoi Sven Bender, pas një asistimi të Kerem Demirbay (3-1), por ishte e gjitha çfarë bënë në këtë ndeshje.

Krejt në fund ishte Robert Lewandowski që shënoi golin e dytë personal për 4-1.

Kai Havertz shënoi sa për statistikë në minutat shtesë për 4-2.

Deri në fund më nuk kishte gola dhe Bayern Munich fitoi edhe Kupën e Gjermanisë pas kampionatit.

Kjo është herë e 20-të që Bayern Munich fiton Kupën e Gjermanisë apo DFB-Pokal.

-->