Bayerni triumfon në derbin gjerman ndaj Dortmundit

Futboll 04 Dhjetor 2021 20:35

Dy skuadrat më të mëdha gjermane, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund sonte zhvilluan derbin gjerman, ku triumfuan bavarezët, shkruan Insporti.

‘Bavarezët’ kanë triumfuar me rezultat 3-2 si mysafir i Dortmundit.

Goli i parë u shënua nga Julian Brandt në minutën e 5-të të ndeshjes, teksa rezultati u barazua vetëm pas katër minutave kur Lewandowski barazoi shifrat në minutën e nëntë.

Në minutën e 44-të, Kingsley Comani i dha epërsinë bavarezëve pas një hutie në mbrojtjen e vendasve, duke e çuar kështu skuadrën e tij në epërsi pas 45 minutave të parë.

Dortmundi reagoi shpejtë në pjesën e dytë, me Haaland i cili barazoi shifrat në minutën e 48-të, duke realizuar një gol mjaft të bukur pas një asisti nga Bellingham.

Mysafirët nuk u ndalën dhe rikthyen edhe një herë avantazhin, përsëri me anë të Robert Lewandowskit i cili realizoi golin e dytë të tij personal në këtë ballafqim dhe të tretin të fitores për skuadrën e tij.

Me këtë fitore, Bayerni shkëputet tani në katër pikë nga Dortmundi, duke qëndruar me 34 pikë të mbledhura, karshi 30 pikëve të Dortmundit në pozitën e dytë.

Pesë duelet e fundit mes këtyre dy ekipeve të gjitha i ka fituar Bayerni me një goldallim 14-7.

-->