Bashkimi një hap pranë gjysmëfinales

Superliga 16 Prill 2019 20:52

Bashkimi e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të play-off-it në Superligën e Kosovës në basketboll. Prizrenasit kanë fituar ndaj rivalit të vjetër, Trepçës, me rezultat 86:73 dhe tani iu nevojitet edhe një fitore për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Në një ndeshje që u karakterizua me rivalitet dhe në të cilën Trepça disa herë ishte në epërsi, në fund më të përqendruar u treguan vendësit dhe iu gëzuan fitores së parë në serinë e çerekfinales.

Jordan Capps me 27, Drilon Hajrizi me 17 dhe Lamar Wofford me 15 pikë ishin më të merituarit për fitoren e Bashkimit.

Në anën tjetër, te “Minatorët” më i dalluari ishte Samir Zekiqi me 21 pikë, veterani Besnik Azemi i shtoi 16, ndërsa pikë dyshifrore (12) pati edhe Aaron Anderson.

Ndeshja e sotme u karakterizua me numër shumë të vogël të shikuesve, ndërsa ajo e radhës zhvillohet në Mitrovicë.