Beckham me ambicie të mëdha për Miamin në MLS

Futboll 26 Mars 2018 14:07

David Beckham ka marrë “dritën e gjelbër” për të qenë pronar i një skuadre të futbollit në Miami në Ligën MLS të SHBA-së, dëshirë kjo e tij tash e një kohë.

Shtypi anglez e ka konfirmuar lajmin se David Beckham do ta ketë licencën në vitin 2020 për të formuar skuadrën e Miamit në futboll, por ambiciet e tij shkojnë goxha përtej vetëm një ekipi të thjeshtë futbolli në SHBA.

Ai pretendon të sjell disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit evropian në skuadrën e Miamit dhe Beckham ka filluar qysh tani të planifikojë gjërat.

Ish-lojtari i Manchester United, Real Madrid e Milan, po planifikon të bëjë blerje të mëdha kur e gjitha të fillojë së funksionuari dhe ai do të fillojë nga bankina, ku momentalisht po përmendet emri i italianit Carlo Ancelotti, i cili për momentin nuk ka skuadër.

Beckham ka punuar edhe më parë me italianin dhe do t’i pëlqente të kishte një bashkëpunim tjetër me të, por britaniku ka dhe një opsion tjetër për sa i përket stolit të Miamit, e ai është Zinedine Zidane, me të cilin e lidh një miqësi e fortë që nga koha kur ata ishin bashkë te Real Madrid. Gjithsesi, për Beckham do të jetë e vështirë ta bindë Zidane të transferohet në SHBA, nëse gjërat do të shkojnë mirë te Reali.

Sa u përket lojtarëve, një prej atyre që mund të pranojë ndonjë ofertë nga Beckham, është Wayne Rooney, një prej idhujve të Manchester United, që aktualisht është pjesë e Evertonit, e i cili në disa raste kishte shprehur interesimin e tij për kampionatin amerikan të futbollit.

Mirëpo, Beckham nuk ndalet me kaq sipas “Daily Mail”, pasi ai e dëshiron më të mirin, Cristiano Ronaldo dhe madje do t’i rezervonte portugezit edhe fanellën me numrin e tij 7.

Në vitin 2020, Ronaldo do të jetë 35 vjeç dhe do të jetë një vit para përfundimit të kontratës me Real Madrid, por për portugezin duket se do të jetë e vështirë të braktisë kampionët e Spanjës dhe Evropës, sidomos nëse vazhdon të luajë në këto nivele si aktualisht. /Insporti.com

-->