Befasi në Formula 1, Bottas fiton Australi

Piloti finlandez i Mercedes, Valtteri Bottas, ka fituar garën e parë sezonale të Formula 1, në Australi.
Bottas garën e ka nisur nga vendi i dytë, pasi dje ishte më i mirë pas shokut të skuadrës, Lewis Hamilton, i cili garën e sotme e nisi nga ‘pole-position’.
Hamilton edhe pse nisi nga ‘pole-position’, nuk arriti të mbante dhe garën e përfundoi i dyti. Në podium u ngjit edhe Max Verstappen me Red Bull, i treti.
Befasia e kësaj gare, ishte Ferrari, pilotët e skuadrës italiane nuk arritën të përfundojnë në podium, duke zënë vendet 4-5, respektivisht me Sebastian Vettel dhe Charles Leclerc.
Por ajo që shqetëson më shumë është diferenca prej 30 sekondash që dy makinat “kokëkuqe” kishin karshi Mercedes në fundin e garës. Ferrari për asnjë moment nuk arriti të jetë i shpejtë dhe të duelojë për fitore, duke zhgënjyer.
Bottas bëri një garë të jashtëzakonshme, duke u shkëputur që në fillim, i pakapshëm edhe nga Hamilton.
Finlandezi realizoi edhe xhiron më të shpejtë të garës, duke marrë edhe 1 pikë më shumë në renditje. /Insporti.com/