Befasia kineze

Formula 1 15 Prill 2018 08:57

Saktësisht si në garën për Shpërblimin e Madh të Bahreinit Vettel e Raikkonen kishin dy pozitat e para në start për Ferrarin dhe Valteri Bottas ishte i treti për Mecedesin dhe ngjashëm si në atë garë dhe në shumicën e garave të fundit, Kimi Raikkonen nuk ishte në gjendje as të fitojë pozitë në start dhe as ta mbajë pozitën e dytë, por nga i dyti ra në pozitën e katërt, kurse Bottas e Verstappen dolën në pozitat 2 dhe 3 prapa Vettelit.

Kjo e pamundësoi që Ferrari ta kontrollojë garën duke i bllokuar pozita e para dhe duke vendosur ritmin e vet të garës.

Hamilton në anën tjetër në start e humbi një pozitë dhe mbeti i pesti prapa Raikkonenit dhe dihej që nga fillimi se ngjitjen eventuale në maje e ka shumë të vështirë.

Vettel dhe Ferrari e kishin garën nën kontroll deri në rrethin 21-të. Në fakt, ky ekip kishte vendosur që të mbajë më gjatë sesa të gjitha ekipet tjera ngasësit e vet në shteg dhe të fundit të kryejnë pit stopin e parë.

Kjo iu kushtoi meqë Valteri Bottas e kreu pit stopin një rreth më herët dhe vendosi një rreth super të shpejtë kur u kthye në shteg, aq sa t’ia marrë Vettelit pozitën. Gjermani u kthye prapa Vettelit në shteg dhe Raikkonen, i cili nuk kishte kryer pit stop fare, mbeti lider i garës dhe u “sakrifikua” nga Ferrari.

Ekipi italian e mbajti finlandezin në shteg deri në rrethin e 28-të, duke dashur ti mundësojë Vettelit ti afrohet Bottasit dhe gara e Raikkonenit u shkatërrua, meqë gjasat e tij për fitore u shuan.

Pas një incidenti midis Pierre Gaslyt dhe Brandon Hartleyt, në shteg u vendos regjimi i Automobilit të Sigurisë dhe ndalim tejkalimit, mirëpo, koha e paraqitjes së automobilit të sigurisë i konvenoi Red Bullit, meqë dy shoferët e këtij ekipi bënë edhe një pit stop dhe u kthyen në pozitat e tyre (Verstappen në të katërtën dhe Ricciardo në të gjashtën).

Mirëpo, në momentin që automobili i sigurisë u tërhoq nga shtegu, gomat e reja ishin faktori që bënë diferencën. Ricciardo zhvilloi një prej garave më të mira në karrierën e tij, nëse jo më të mirën dhe e fitoi garën për Shpërblimin e Madh të Kinës që është fitorja e gjashtënë karrierën e tij.

Mënyra se si Ricciardo tejkaloi Hamiltonin, Vettelin dhe Bottasin në shteg, edhe pse i kishte gomat e reja dëshmoi pjekurinë dhe shkathtësinë që ky shofer e posedon dhe dëshmoi që fitoren e sotme e ka me meritë.

Mercedesi për herë të parë që kur përdoren motrat hibridë në Formula 1, zhvilloi tri gara pa arritur fitore, por në garë u dëshmua se ky ekip nuk është fare inferior ndaj Ferrarit, siç kishte filluar të shkruhej në disa media.

Bottas përfundoi i dyti, Raikkonen përfundoi i treti sepse përfitoi më së shumti nga një incident midis dy prej ngasësve në krye të garës.

Max Verstappen dhe Sebastian Vettel patën kontakt dhe shkaktuan një incident që u kushtoi shumë të dyve. Verstappen, për shkak të gabimit të tij dhe tentim tejkalimit në vend ku tejkalimi ishte i pamundshëm u dënua me 10 sekonda shtesë në kohën e tij totale, kurse Vettel, kishte më pas probleme me goma dhe rrëshqiti deri në pozitën e tetë.

Verstappen hyri në finish si i katërti, por do të jetë i pesti në plasman për shkak të dënimit dhe vendi i katërt do ti takojë Lewis Hamiltonit.