Bekim Isufi e ka këtë paralajmërim për Feronikelin para ndeshjes së madhe

Futboll 25 Qershor 2019 09:29

Feronikeli do ta prezantojë Kosovën në garat ndërkombëtare këtë vit.

Skuadra e Feronikelit do të luajë në raundin paraeliminator të Ligës së Kampionëve që zhvillohet në Prishtinë nga 25 deri më 28 qershor.

Kundërshtari i parë i skuadrës nga Drenasi është Lincoln Red Imps.

Lincoln është skuadër nga Gjibraltari dhe atë e njeh mjaft mirë trajneri Bekim Isufi, i cili ka pasur punë me ta sa ishte trajner i Dritës.

Ndërkaq, Isufi ka thënë se Lincoln është skuadër e përsosur teknikisht.

“Lincoln teknikisht është skuadër e përsosur, edhe pse gjatë kampionatit bëjnë rotacione”, tha Isufi në ‘Dueli Sportiv’.

“Por, kur duan të fitojnë e bëjnë këtë. Ata kanë përvojën e duhur dhe kanë kushte të mira financiare”, shtoi Isufi.

Ndeshja ndërmjet Feronikelit e Lincoln Red Imps zhvillohet sonte në ‘Fadil Vokrri’, nga ora 20:45.