Bekim Isufi: Këto kushte që janë te Ferizaj, nuk ekzistojnë as në Ligën e Parë

Futboll 20 Tetor 2019 16:40

Ferizaj zhgënjeu edhe njëherë para publikut vendas, teksa këtë herë u mposht nga FC Prishtina.

Kryetrajneri i kësaj skuadre, Bekim Isufi është shprehur i zhgënjyer me epilogun final të ndshjes, teksa theksoi se skuadra e tij nuk e meritoi humbjen.

“Një humbje e hidhur pasi që kundërshtari na shënoi nga dy raste të vetme të cilat i krijoi. Ishim më konkret se kundërshtari në lojë, por kur humbet lojën gjithçka bie në ujë”, deklaroi fillimisht Isufi për Super Sport Kosova.

Më pas tekniku gjilanas foli edhe për problemet me të cilat po ballafaqohet klubi i Ferizajt dhe futbollistët.

“Është e çuditshme se si po i fitojmë ndeshjet si mysafir dhe si po i humbasim si vendas. Na duhet një mobilizim më i madh edhe kur të luajmë si vendas. Disa gjëra nuk evitohen brenda ditës dhe nuk e di pse klubi ka ardhur deri në këtë gjendje. Jam duke qëndruar këtu për shkak të futbollistëve, përndryshe nuk do të kisha qëndruar në këto kushte, të cilat nuk ekzistojnë as në Ligën e Parë”, deklaroi Isufi.

Pavarësisht humbjes Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me nëntë pikë të grumbulluara.

-->