Bekim Isufi pranë shkarkimit nga Ferizaj?

Futboll 28 Shtator 2019 11:09

KF Ferizaj pas gjashtë xhiro të zhvilluara renditet në vendin e dhjetë të tabelës së IPKO Superligës së Kosovës, shkruan Insporti.com.

Ferizaj përgatitjet për sezonin e ri kishte nisur shumë vonë, duke ndikuar në një fillim jo të mirë të kampionatit. Ferizaj, tashmë në pronësi të anglezëve pak ditë para se të niste kampionatit kishte emëruar trajner, Bekim Isufin.

Megjithatë, pas gjashtë xhiro ai rrezikon shkarkimin pas rezultateve negative. Një burim i Insportit brenda klubit ka bërë të ditur se ai mund të shkarkohet pas ndeshjes me Feronikelin, në rast se nuk arrin rezultat pozitiv.

 

Ferizaj nuk e kishte si opsion të parë trajnerin gjilanas, pasi opsion i parë ishte trajneri Bylbyl Sokoli. Por, pas dështimit të arritjes së një marrëveshje, Isufi zbarkoi në bankinën e “Ujqërve”.

Në gjashtë xhiro të zhvilluara Ferizaj ka arritur dy fitore dhe katër humbje, me një gol dallim -6 me vetëm gjashtë pikë të grumbulluara.

Skuadra nga Ferizaj sot do të udhëtojë për në Drenas, për të zhvilluar ndeshjen me kampionin aktual, KF Feronikeli. Ndryshe, sezonin e kaluar Ferizaj kishte arritur të mposhte “Niklin” me rezultat 1:2.

Vlen të theksojmë, se Bekim Isufi para dy sezone kishte fituar titullin e kampionit me skuadrën e Dritës.

Mbetet të shihet pas ndeshjes së sotme, se a do të vazhdojë aventura e Isufit me Ferizajn apo do të përfundojë. /Insporti.com/

-->