Beqiri: Do të jetë ndeshje e vështirë, janë vetëm 90 minuta

Futboll 01 Qershor 2019 12:50

Trepça ’89 dhe Vëllaznimi sot do të përballen në kuadër të barazhit, për vendosur se cila prej tyre do të luaj në IPKO Superligë sezonin e ardhshëm.

Edhe pak orë na ndajnë nga fillimi i ndeshjes që pritet të jetë tejet interesante dhe e luftuar nga të dy skuadrat.

Numri një i portës së 89shit, Arben Beqiri për Insportin ka deklaruar kjo është ndeshja më e vështirë për Trepçën në këtë edicion.

“Po sigurisht një ndeshje shumë e vështirë ndoshta më e vështira në këtë kampionat për neve, por mendoj qe me një angazhim dhe disipline në lojë në fund mundemi me ia dal. Përgatitjet kanë shkuar mirë gjatë gjithë javës jemi përgatit për këtë ndeshje dhe shpresoj që do të paraqitemi mire”, ka thënë Beqiri, shkruan Insporti.com.

 

Beqiri po ashtu shtoi se edhe pse e kanë mposhtu dy here Vëllaznimin në kuadër të Kupës së Kosovës, nuk do të thotë se janë favorit për të fituar këtë ndeshje, pasi është tërësisht ndryshe nga ato dy ndeshje.

“Ne me Vëllaznimin jemi takuar edhe në gjysmëfinale të Kupës të cilën e kemi fituar mirëpo ne nuk duhet bazohemi ne atë ndeshje sepse kjo e ka rëndësinë krejtësisht tjetër dhe janë vetëm 90 minuta të cilat e përcaktojnë fituesin”, përfundoi numri një i 89shit.

Këto dy skuadra janë takuar dy herë në këtë edicion në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës dhe në të dy ndeshjet kanë triumfuar “Minatorët”.

Vlen të theksojmë se të dy klubet kanë ndërruar kryetrajnerët para se të përfundonte sezoni i rregullt.

Veton Çitaku ka zëvendësuar Sabit Osmanin tek 89shi, pasi ky i fundit kishte probleme shëndetësore, ndërsa Blerim Vula është emëruar si zëvendësues i Ismet Munishit, i cili pas humbjes nga Trepça ’89 në kuadër të Kupës kishte ndërprerë bashkëpunimin me skuadrën gjakovare.

89shi e përfundoi sezonin në pozitën e nëntë me 42 pikë, ndërsa Vëllaznimi përfundoi në të katërtën me 54 pikë në kuadër të Ligës së Parë.

Në ndeshjen e parë në kuadër të barazhit që u zhvillua ditën e enjte, Gjilani shënoi fitore 1-0 ndaj Besës dhe gjilanasit do të jenë edhe për një edicion pjesë e Superligës

Ndeshja e barazhit do të zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim të orës 16:00. /Insporti.com/

 

-->