Berisha e paralajmëron rikthimin në futbollin evropian

Futboll 25 Gusht 2021 15:24

Sulmuesi kosovar, Besart Berisha e ka mbyllur përvojën dyvjeçare me ekipin Western United pasi i skadoi kontrata.

Ish-përfaqësuesi kosovar nuk e ka përjashtuar mundësinë që në fund të karrierës të luajë në futbollin evropian, me shumë gjasë në atë gjerman.

“Unë jam 36 vjeç, por ndiej se mund të luaj edhe një sezon. Bisedova me klube, por në fund nuk ndodhi asgjë. Kështu që, mua më duhet të mendoj për të ardhmen”, deklaroi Berisha për “The Age”.

“Ka mundësi të shkoj jashtë shtetit (Australisë) dhe nëse kjo mund të realizohet, do të doja shumë që kjo të ndodhë. Ta luaj sezonin tim të fundit aty ku nisa gjithçka (në Gjermani), për mua do të ishte speciale”, vazhdoi veterani i sulmit.

Berisha i kaloi afro 10 vjet në futbollin australian, ndërsa e pati një eksperiencë të shkurtër në Japoni.

Ai kishte shkuar në Australi në vitin 2011 dhe i kishte kaluar tri sezone në Brisbane Roar.

Krahas katër titujve të kampionit, Berisha ka fituar edhe trofe individualë gjatë eksperiencës së tij në Australi.

-->