Berisha pësoi golin e vitit, e gjithë bota po e komenton

Nations League 17 Nëntor 2020 10:43

Kazakistani pësoi humbje në “Albasan Arena” por emri i kësaj kombëtareje është kthyer në vëmendjen e gjithë botës pas atij goli të pabesueshëm nga mesi i fushës.

Abiken shfrytëzoi më së miri pozicionimin e avancuar të Etrit Berishës dhe godet menjëherë nga 54 metrat për ta ndalur topin në rrjetë. Gola të tillë shihen rrallë në futbollin botëror dhe për fat të keq ndodhi në një ndeshje kundër kuqezinjve.

Ndërkohë jehona e madhe vazhdon, teksa pas mediave të shumta, ka qenë edhe vetë FIFA ajo që ka shpërndarë këtë realizim të Kazakistanit. Përmes një postimi në faqen zyrtare në “Twitter”, qeveria botërore e futbollit ka vendosur t’u servirë të gjithë ndjekësve të saj perlën e Abiken.

“Duke menduar më shpejt se gara. Motivimi i së hënës sillet te ju nga lojtari i Kazakistanit, Aibol Abiken”, janë fjalët me të cilat FIFA shoqëron videon e golit nga mesi i fushës.

-->