Bernard Berisha: Trajneri shkeli premtimin, shumë lojtarë janë të pakënaqur se si trajtohen

Futboll 12 Qershor 2021 11:11

Anësori i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Berisha, ka folur rreth shumë temave mbrëmjen e kaluar ku ishte i ftuar si analist në natën hapëse të EURO 2020, në emisionin “Euro Kampionët”, raporton Insporti.

Ndër të tjerash, Berisha adresoi edhe raportin e tij me trajnerin e Kosovës, Bernard Challandes, për të cilin tha se nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë për minutazh me fanellën e “Dardanëve”.

“Një bisedë në Shqipëri që kemi pasë, ka thënë që ‘ne duhet t’i harrojmë ato se çka kanë ndodhur, ti ke me pasë minutazhën tënde’. Prap se prap, kur jemi kthyer, ai [Challandes] prap me të njëjtin mendim” – u shpreh Berisha, duke folur në vazhdim për gjestin që kishte bërë pas golit të shënuar ndaj Greqisë: “Nëse është ndjerë i ofenduar me gjestin që kam bërë, unë publikisht i kërkoj falje. Por, mendoj që ka qenë e vetmja mënyrë që me i tregu që edhe unë jam këtu. Realisht nuk më është dhënë mundësia aq sa e kam merituar.

“Ka shumë lojtarë që janë të pakënaqur me mënyrën se si trajtohen. Unë do të kthehem, por vetëm nëse ai e mbanë atë premtimin çka ne e bisedojmë. Nuk është e drejtë mënyra se si komunikon me ty dhe pastaj vjen në grumbullim dhe kam një komunikim tjetër. Kjo nuk më pëlqen dhe realisht nuk e kam parë gjatë gjithë karrierës time. Kur t’i thuash lojtarit që e harrojmë këtë dhe po provojmë diçka të re, atëherë duhet me mbajtë përgjegjësi. Mendoj që trajneri nuk është treguar shumë i drejtë në këtë aspekt ndaj meje”.

Kujtojmë që Kosova në shtator luan tri ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Botëror. Fillimish “Dardanët” luajnë në udhëtim te Gjeorgjia, pastaj presin në shtëpi Greqinë dhe Spanjën.

-->