Besa e fiton derbin dramatik

Superliga 22 Shkurt 2020 21:46

Një ndeshje shumë të mirë ka ofruar derbi i javës në Superligën e Kosovës në hendboll. Në palestrën “Karagaçi” në Pejë të shtunën janë takuar Besa Famgas e Prishtina. Ndeshjen shumë të fortë e cilësore e fitoi Besa Famgas me rezultatin e ngushtë, 26:24.

Prishtina ka fituar pjesën e parë me rezultat 15:13 dhe ishte në epërsi për kohë të gjatë. Por në fund pejanët përmbysën rezultatin dhe arritën te fitorja.

Prishtina në pjesën e parë kishte epërsi deri në tri gola, ndërsa epërsia e saj në pjesën e dytë shkoi deri në katër gola (19:15).

Por më pas Besa u kthye furishëm dhe kaloi në epërsi 20:19 në minutën e 48-të. Prej minutës së 54-t Besa filloi të shkëputet në dy gola, por Prishtina nuk dorëzohej, duke u afruar në një gol.

Në fund rezultati ishte 26:24 në të mirë të Besës, ndërsa Prishtina ishte në lojë deri në fund. I kushtuan disa gabime në sulm.

N. Prce ka udhëhequr Besën me 9 gola. Nga 5 i shënuan E. Gjuka e D. Tahirukaj. Te Prishtina më efikasët ishin D. Terziqi e Rr. Ramadani me nga 5 gola.

Besa është forcuar në vend të parë me 32 pikë. Tani ka katër më shumë se Prishtina që është e dyta. Të dy humbjet e këtij edicioni Prishtina i ka pësuar nga Besa. Ekipi pejan ka vetëm fitore.

-->