Besa Famgas fiton titullin dhe vazhdon dominimin në Superligë

Superliga 25 Maj 2019 23:24

Besa Famgas ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Për skuadrën pejane të hendbollistëve është titulli i gjashtë rresht dhe kështu Besa Famgas ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës.

Besa e mposhti Kastriotin vendës me rezultat 26:25, në një ndeshje tjetër shumë të fortë në mes dy skuadrave dhe poashtu shumë dramatike. Fituesi u vendos vetëm në aksionet e fundit, ndërsa Besës do t’i mjaftonte edhe barazimi për t’u shpallur kampion. Besa të mërkurën në Pejë fitoi 16:15 dhe me dy fitore në finale të plejofit stoliset me titull të kampionit.

Skuadra pejane është renditur e para në pjesën e rregullt të kampionatit, kurse në gjysmëfinale kaloi Vëllaznimin.

Kastrioti në stinorin e rregullt ishte i dyti, kurse Prishtinën e kaloi në gjysmëfinale. Por ferizajasit kanë pasur po ashtu një edicion shumë të suksesshëm. Kanë fituar Kupën e Kosovës, duke mposhtur Besën në gjysmëfinale dhe Prishtinën në finale.

Gjatë tërë edicionit Besa e Kastrioti ishin rivalë të mëdhenj dhe kështu kanë shtyrë para garën në Superligën e Kosovës.

Dhe si të gjithë ndeshjet e këtij edicioni mes Besës e Kastriotit edhe ndeshja vendimtare ishte e fortë, me mbrojtje të fuqishme. Në minutat e fundit Besa krijoi epërsi deri në tri gola, por vendasit u kthyen dhe barazuan rezultatin në 24:24. Por pejanët ia dolën të shënojnë edhe dy herë dhe në fund rezultati ishte 26:25 për Besën.

Tre lojtarë shënuan nga pesë gola për Besën: A. Kukrika, E. Gjuka, e D. Tahirukaj. U dallua edhe portieri H. Berisha e poashtu të gjithë ata që luajtën.

  1. Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti me 8 gola./Insporti