Besa nuk pret telashe në Gjakovë, në Prishtinë ndeshje e fortë

Superliga 14 Maj 2019 15:25

Pasi ka fituar bindshëm ndeshjen e pare gjysmëfinale, Besa Famgas të mërkurën mund të sigurojë kalimin në finale të play-offit të Superligës së Kosovës në hendboll.

Në Gjakovë nga ora 19:00 luhet ndeshja ndërmjet Vëllaznimit dhe Besa Famgasit. Besa është kampion aktual dhe e ka përfunduar Superligën A në vend të parë. Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në Pejë, Besa e fitoi me rezultat 39:10. I duhet edhe një fitore apo barazim për të kaluar në finale të play-offit.

Vëllaznimi e ka mbyllur Superligën A në vend të katërt. Të mërkurën (nesër) luhet edhe gjysmëfinalja e dytë e play-offit ndërmjet Prishtinës e Kastriotit. Kjo ndeshje luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve nga ora 18:00.

Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në Ferizaj e ka fituar Kastrioti me rezultat 28:21. Kastrioti ishte i dyti në Superligën A ndërsa Prishtina e treta. Dy skuadrat janë takuar edhe në finale të Kupës, në një ndeshje shumë të fortë e dramatike.

Ndeshje e fortë e cilësore pritet të jetë edhe ajo që luhet nesër në kryeqytet. Kastrioti do të mundohet që me fitore apo barazim të siguroi finalen, ndërsa Prishtina që të barazojë rezultatin në 1:1 dhe të sigurojë edhe ndeshjen e tretë që do të luhej në fundjavë në Ferizaj.