Besart Berisha përgëzon KOK-un për arritjet e fundit, me theks të veçantë për medaljet e arta olimpike

Sporte të tjera 30 Shtator 2021 14:46

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka pritur sot futbollistin e mirënjohur, Besart Berisha

Berisha, ish-lojtar i Kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës, është kthyer në vendlindje, me ç’rast javë më parë nënshkroi kontratë me klubin më të madh në vend, FC Prishtina.

Presidenti Krasniqi, duke falënderuar Berishën për vizitën, vlerësoi lart të arriturat e tij si lojtar, duke thënë se Berisha e ka përfaqësuar në mënyrën më të mirë vendin tonë, veçanërisht gjatë karrierës së suksesshme në Australi, ku theu rekordet duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori.

Edhe Berisha, duke falënderuar presidentin Krasniqi për takimin, shprehu mirënjohjen për të arriturat e KOK-ut, me theks të veçantë medaljet e arta olimpike të fituara në Rio 2016 dhe veçanërisht në Tokio 2020.

Në fund, presidenti Krasniqi i dhuroi një fanellë të ekipit olimpik të Kosovës që mori pjesë në Tokio 2020, si dhe librin foto-reportazh “Debutimi i Artë”, kushtuar kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi.

-->