Bie faqja e Arsenal, interesim i madh për ndeshjen e fundit të Wenger

Futboll 20 Prill 2018 14:52

Futbolli sot gjatë gjithë ditës ishte nën ethet e dorëheqjes së Arsene Wenger, pas 22 viteve që e udhëhoqi skuadrën e Arsenal dhe komentet e reagimet për këtë ishin të shumta.

Pas lajmit që Wenger do të largohet në fund të sezonit, pati një fluks të madh në ueb faqen zyrtare të Arsenal nga tifozët dhe adhuruesit e klubit londinez, të cilët po mundoheshin të blinin bileta për ndeshjen e fundit të Wenger në “Emirates”, e që është ajo e 6 majit kundër Burnley, ku francezi edhe do të përshëndetet me tifozët.

Madje, faqja zyrtare e Arsenal ra nga funksioni pas fluksit të madh, me ç’rast u shitën të gjitha biletat për takimin kundër Burnley, vetëm brenda pak orëve.

Arsenal deri në fund të sezonit, në Premier League i zhvillon edhe pesë takime, prej të cilave vetëm dy në shtëpi, kundër West Ham dhe Burnley, kurse tri tjerat i ka në udhëtim me Man.United, Leicester City dhe ndeshjen e fundit kundër Huddersfield Town. Normalisht nuk duhet harruar edhe dy përballjet gjysmëfinale në Europa League me Atletico Madrid.

Nga klubi londinez është bërë e ditur që interesimi për të gjitha ndeshjet e të gjitha garave deri në fund të sezonit është shumë i madh, derisa presin që brenda pak ditësh, do të shiten të gjitha vendet në “Emirates” për ndeshjet e mbetura. /Insporti.com

-->