Boban “godet” Milanin: Klub diktator si Korea e Veriut

Futboll 08 Mars 2020 12:50

Zvonimir Boban nuk do ta marrë shtruar shkarkimin nga posti i drejtorit të Milanit, pasi e ka quajtur diktator klubin kuqezi.

Ai, po ashtu, ka zbuluar se do ta padisë Milanin për shkarkim të padrejtë nga posti.

Boban u shkarkua nga posti i shefit të futbollit të shtunën, kryesisht për shkak të një interviste që e kishte dhënë për La Gazzetta dello Sport, në të cilën kishte thënë se shefi ekzekutiv i klubit, Ivan Gazidis, kishte punuar prapa shpinës duke e kontaktuar Ralf Rangnick.

“Nuk e dija se po jetonim në një diktaturë sikur në Korenë e Veriut. Intervista ime ishte ligjërisht pa të meta dhe u bë pasi shumë pyetje dhe kërkesa për qartësim kishin mbetur pa përgjigje”, tha Boban për Il Giornale.

Tani, Boban është i gatshëm ta padisë Milanin për shkarkim të padrejtë, duke i përdorur konsulentët ligjorë të cilët i kishte takuar sa punonte në FIFA, duke kërkuar pagesë për tri vjet kontratë, e cila iu ndërprit pas vetëm nëntë muajve.

“Ata arritën marrëveshje me Rangnick në dhjetor. Atij mund t’ia uroj gjithë fatin e botës, por ata duhet të paktën të më tregojnë për këtë. Unë meritoj të informohem për një iniciativë të tillë”, shtoi ai.

-->