Boksierët nga Kosova u ndaluan në Serbi, Demolli zbulon detajet: “Na kanë hallakatë bagazhin dhe na kanë gjetur trenerkat me shenjën KOS”

Boks 23 Tetor 2021 11:53

Ekipi i Kosovës i përbërë nga tre boksierët, Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami, selektorin Besim Brahimi si dhe sekretarin gjeneral Latif Demolli janë ndaluar në kufirin Serbi- Kosovë.

Arsyja e ndaljes është që autoritetet serbe nuk po lejojnë hyrjen e sportistëve nga Kosova me simbolet e tyre.

Lidhur me detajet se si janë ndaluar dhe ku gjenden tani, Insporti ka kontaktuar me sekretarin gjeneral, Letafi Demollin.

“Na kanë hallakatë bagazhin dhe na kanë gjetur trenerkat me shenjën KOS, dhe na është thënë që nëse ju ka ardhë lajmi prej qeverisë në kufi, do t’iu çojmë me përcjellje, por nëse i leni uniformat anej dikun mundeni me kalu. Unë si përgjegjës i ekipit, në kampionat botëror marim pjesë me llogo dhe flamur të Kosovës”- tha fillimisht Demolli.

“Unë kom kontaktu me këshilltarin e presidentit, Umar Kremlev dhe më tha që ka kontakt me kryetarin dhe kryetari ka shku te Vuçiq dhe tha se vetëm Vuçiq jep lejën që Kosova të boksojë me shenja dhe llogo të Kosovës. Jemi t’u pritë në kufi, nëse nuk na lëjnë me llogo do të kthehemi në Kosovë” – tha Demolli për Insportin.

Ekspedita jonë ishte nisur mbrëmë për në Beograd, aty ku do të organizohet kampionati botëror i boksit për amator.

/Insporti.com

-->